Shfrytëzonte parkingun e Ministrisë për “rent a car”, pezullohet nga puna zyrtari i MPB-së

Është pezulluar nga detyra si zyrtar i lartë për monitorimin e transportit, Riza Alshiqi, i cili dyshohet se shfrytëzoi parkingun e pronës së këtij institucioni për vetura me qira.

Kjo u bë e ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla po ashtu njoftoi se  bashkë me Alshiqin, janë pezulluar edhe pesë zyrtarë tjerë të Ministrisë.

“Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij “Rent a car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njëjti bashkë me 5 zyrtarë të të njëjtit departament sot janë pezulluar nga detyra. Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla në Facebook./21Media

 

Back to top button