Shkarkohet drejtori i FBI-së, James Comey

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, ka shkarkuar nga funksioni drejtorin e FBI-së, James Comey, ka kumtuar Shtëpia e Bardhë

Comey ka kryesuar hetimet në lidhje me pretendimet për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në Amerikë. “Presidenti ka pranuar propozimin e prokurorit federativ, Xhef Seshon, në lidhje me shkarkimin e drejtorit të FBI-së”, u theksua në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë. Komej, i cili u emërua për drejtor të FBI-së për një mandat dhjetëvjeçar në vitin 2013, gjatë administratës së Barak Obamës, është kritikuar ashpër nga administrata e Trampit për shkak të hetimeve kundër Hillari Klintonit, për përdorimin e serverit të saj privat për dërgimin e i-mejllave, gjatë kohës sa ka qenë sekretare amerikane e shtetit.

Në letrën që i dërgoi Comey, Tramp e njoftoi se vendimi për shkarkimin e tij do të hyjë në fuqi menjëherë. Drejtorët e FBI-së emërohen për mandat dhjetëvjeçar. Është kjo hera e dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që shkarkohet një drejtor i FBI-së. Si drejtor i përkohshëm i kësaj agjencie është emëruar zëvendësi i Komejt, Endru Mek Kejb, i cili është i përfshirë në skandalin me Klintonin. Sipas mediave amerikane, bashkëshortja e Mek Kejbit ka marrë para nga miqtë e Klintonit dhe ai konsiderohet si mik i ngushtë i familjes Klinton.

Më herët, FBI ka njoftuar Kongresin se Comey kishte stërsmadhuar përfundimin kryesor në hetimet në lidhje me i-mejllat e Klintonit, gjatë dëshmisë së tij para Kongresit javën e kaluar. Komej ishte akuzuar edhe nga Klinton se i ka kontribuar humbjes së saj në zgjedhje, pasi që në tetor të vitit të kaluar, një muaj para zgjedhjeve, kumtoi se do të rifilloi hetimet kundër Klintonit, për shkak të përdorimit të serverit privat për dërgim të i-mejllave, gjatë kohës sa ishte sekretare e shtetit,transmeton rtv21.tv

Ndërkohë, mediat amerikane vendimin e Donald Trampit për të shkarkuar Komejn e cilësuan si një skandal, i cili mund të krahasohet me skandalin Uotergejt, i cili rezultoi me shkarkimin e Presidentit Riçard Nikson.

Agjencia e lajmeve, Asoshiejted Pres, vlerësoi se shkarkimi i Komejt vë në dyshim hetimet që kjo agjenci po zhvillon në lidhje me përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet në Amerikë./21Media

Back to top button