Shkarkohet Shpend Tërdevaj, ishte emëruar nga Hoti si Sekretar i Këshillit të Sigurisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e vitit të shkuar për emërim të Shpen Tërdevajt në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky vendim vjen në vazhdën e kthimit të ligjshmërisë brenda institucioneve të Kosovës dhe se rekrutimi i Trdevajt është në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
“Në vazhdën e vendimeve tona për të kthyer ligjshmërinë brenda institucioneve të Kosovës sot para jush sjell vendimin për shfuqizimin e vendimit të datës 21 shtator 2020 përmes të cilit është emëruar në pozitën e Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Shpend Tërdevaj. Nisur nga fakti që rekrutimi i zotëri Tërdevajt është bërë në shpërputhje me Ligjin për Zyrtarët Publik është e domosdoshme që vendimi të shfuqizohet në bazë të ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative me qëllim të kthimit të ligjshmërisë. Pozita në fjalë do të mbulohet nga një zëvendësues i përkohshëm deri në rekrutimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë së Kosovës përmes konkursit dhe procesit të hapur e transparent”, tha ai.
Shpend Tërdevaj ishte emëruar Sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Sigurisë së Kosovës në kuadër të Zyrës së Kryeministrit më 21 shtator të vitit 2020.

Back to top button