Shkëmbim i papritur mes Barçës e Interit, marrëveshja drejt finalizimit

Sipas raportimeve në Spanjë, Interi është në negociata të avancuara për të nënshkruar me Memphis Depay nga Barcelona në këmbim të Joaquin Correas.
Gazetari i afërt me katalanasit, Gerard Romero e ka dhënë këtë informacion në kanalin e tij Tëitch pasi Barça mundi Real Madridin për të fituar Superkupën e Spanjës.
Raportohet se Correa dhe dy klubet tashmë kanë rënë dakord për kushtet, gjithçka varet tani nëse holandezi Depay e pranon lëvizjen e tij në “Giuseppe Meazza”.
28-vjeçari iu bashkua Barcelonës si lojtar i lirë nga Lyoni në verën e vitit 2021, por kontrata e tij zgjat vetëm deri më 30 qershor dhe paga e tij konsiderohet si problem për financat e klubit.
Ai ka kontribuar me katër gola dhe një asistim në vetëm tetë paraqitje këtë sezon, dhe gjithashtu u lidh me një lëvizje në Atletico Madrid si një zëvendësues për Joao Felix-in i cili kaloi te Chelsea.
Sa i përket Correa-s, ai do të kalonte në Spanjë si huazim me opsion blerjeje dhe jo një shkëmbim direkt, duke pasur parasysh se kontrata e tij zgjat deri në qershor të vitit 2025.
Tashmë kishte sugjerime se dy klubet po bisedonin për një marrëveshje të mundshme shkëmbimi mes Marcelo Brozovic dhe ish-mesfushorit të Milanit, Franck Kessie.
Megjithatë, ky është një shkëmbim krejtësisht i ndryshëm që nuk lidhet me atë ide.

Back to top button