Shkon në 10 numri i të vrarëve, i dyshuari ende në arrati

(Lajm i përditësuar)

Ka shkuar në dhjetë numri i të vdekurve nga të shtënat me armë zjarri në qytetin kalifornian, Monterey Park.

Policia thotë se 10 persona të tjerë janë plagosur, ndërsa i dyshuari ende është në arrati.

Të shtënat ndodhën rreth orës 22:20 me orën lokale të së shtunës (06:20 GMT të dielën).

Mijëra njerëz ishin mbledhur më herët në qytet për festivalin e Vitit të Ri Hënor në Monterey Park.

Departamenti i Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit tha se po kërkonin një të dyshuar mashkull i cili u largua nga vendi i ngjarjes, por nuk dha asnjë detaj tjetër rreth tij.

Kapiteni Andrew Mayer tha se shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje ku konfirmuan se 10 persona kishin vdekur. Të paktën 10 të tjerë janë plagosur dhe ndodhen në spitalet lokale, ku gjendja e tyre varion nga stabile në kritike.

Hetuesit thanë se ishte shumë herët për të thënë nëse incidenti po trajtohej si një krim urrejtjeje./21Media
 

12:20 – Nëntë persona të vrarë, pas të shtënave me armë zjarri

Nëntë persona janë vrarë nga të shtënat masive në një qytet në Los Anxhelos, pas festimeve të Vitit të Ri Hënor.

Zyrtarët nuk kanë dhënë më shumë informacione, teksa policia i është përgjigjur raportimeve për të shtënat.

Sipas policisë, sulmuesi është mashkull.

Një dëshmitar i ka thënë “Los Angeles Times” se tre persona hyn në restorantin e tij dhe i thanë të mbyllte dyert pasi në atë zonë ishte një person me armë automatike.

 

10:28 – Të shtëna me armë zjarri, raportohet për të plagosur

Policia në Kaliforni po i përgjigjet disa të shtënave me armë zjarri, që kanë lënë disa të plagosur.

Incidenti ndodhi në Monterey Park, që ndodhet rreth 13 km në lindje të Los Anxhelosit, pas orës 22:00 me orën lokale të së shtunës (06:00 GMT të dielën).

Mijëra njerëz ishin mbledhur më herët në qytet për festivalin e Vitit të Ri Hënor në Monterey Park.

Ende nuk është e qartë se sa njerëz janë qëlluar apo nëse dikush ka vdekur.

Videot në rrjetet sociale treguan një prani të madhe policie në zonë.

Festivali vjetor i Vitit të Ri Hënor është një ngjarje gjatë fundjavës që ka tërhequr më parë turma prej më shumë se 100,000 vizitorësh.

Festimet e së shtunës mbrëma ishin planifikuar të përfundonin në orën 21:00 me kohën lokale./21Media

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button