Shkon në tetë numri i të vdekurve dhe në 50 i të lënduarve nga sulmi izraelit në Jenin

Ka shkuar në tetë numri i palestinezëve të vrarë dhe në 50 i të plagosurve, me 10 prej tyre që janë në gjendje të rëndë, nga ofensiva më e madhe ajrore dhe tokësore e Izraelit në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor, operacioni më i madh ushtarak në territorin palestinez në vite, në atë që Izraeli e përshkroi si një “përpjekje të gjerë kundër terrorizmit”.

Sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë, numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet, raporton Guardian, përcjell rtv21.tv.

Duke nisur të paktën 10 sulme me dronë mbi ndërtesa, një brigadë trupash izraelite – mes 1,000 dhe 2,000 ushtarë – të mbështetur nga buldozerë të blinduar dhe snajperë në çati hynë në qytet dhe kampin e refugjatëve, duke hasur në pritje nga palestinezët, pasi Izraeli informoi Shtëpinë e Bardhë për planet.

Një zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, e quajti operacionin “një krim të ri lufte kundër popullit tonë të pambrojtur”, ndërsa grupi militant Hamas me bazë në Gaza u bëri thirrje të rinjve në Bregun Perëndimor që t’i bashkohen luftimeve.

Imazhet nga brenda Jeninit treguan luftëtarë palestinezë të armatosur dhe të maskuar në rrugë ndërsa betejat me armë dhe shpërthimet vazhduan deri të hënën në mëngjes.

Inkursioni në Jenin është i pari që nga beteja e Jeninit në vitin 2002 gjatë intifadës së dytë, kur më shumë se 50 palestinezë dhe 23 ushtarë izraelitë u vranë në më shumë se një javë luftime, duke përfshirë 13 ushtarë izraelitë në një incident të vetëm.

Ngjarjet e së hënës e çojnë numrin e vdekjeve të palestinezëve të vrarë këtë vit në Bregun Perëndimor në 133, pjesë e rritjes së dhunës njëvjeçare që ka rezultuar në disa nga gjakderdhjet më të këqija në atë zonë në gati dy dekada. /21Media

Back to top button