Shkurtohet luksi i funksionarëve, para ka edhe për të falimentuarit

Qeveria vendosi t’i shkurtojë shpenzimet joproduktive me qëllim që të kursejë

Rebalanci i buxhetit iu dërgua Kuvendit. Kryeministri Zoran Zaev, pas përfundimit të rebalancit, në konferencë për shtyp theksoi se shkurtimi më i madh i është bërë buxhetit të kryeministrit, diçka që nuk është bërë në rebalancët e kaluara. Ai shtoi se deri në fund të vitit, është  parashikuar që rritja ekonomike të jetë 2.2%, ndërsa projektimi i qeverisë së kaluar ishte deri në 3%, shkruan tv21.tv

“Janë shkurtuar paratë e parashikuara për fushata dhe reklamime qeveritare brenda dhe jashtë vendit. Shkurtimi është 420 milionë denarë, para këto që ishin parashikuar për reklama dhe promovim. Me këtë rebalanc do të përfshihen punëtorët e falimentuar, si dhe subvencionet për rritjen e pagës minimale në 12 mijë denarë nga data 1 shtator. Me pagën minimale do të përfshihen 70 mijë qytetarë”, tha Zaev.

Me këtë rebalanc, mjete financiare u ndanë edhe për të falimentuarit, të cilët protestonin me vite për zgjidhjen e problemit të tyre.

Rreth projekteve kapitale, Zaev theksoi se do të vazhdohet me investime në infrastrukturë, ndërtim të spitaleve dhe të projekteve me interes publik.

“Nuk ka nevojë për shqetësim. Do t’i vazhdojmë dhe do t’i përfundojmë investimet kapitale. Do t’i përfundojmë ndërtimet e sallave dhe të shkollave që janë filluar. Filluam me zgjidhjen e problemeve me autostradat, ndërsa do të fillojmë edhe me ndërtimin e rrugëve të tjera që nuk janë nisur së ndërtuari”, shtoi ai.

Kryeministri tha se deri tani është zbuluar një borxh i fshehtë ndaj ekonomisë prej 400 milionë eurove, gjë që pritet të rritet.

Zaev pret që rebalanci i buxhetit të miratohet para Ilindenit./21Media

 

Back to top button