Shoqata e Bankave e dënon sulmin ndaj transportuesit të parave

Pas sulmit të armatosur që ka ndodhur sot në orët e pasdites ndaj automjetit transportues të parave në magjistralen Prishtinë-Gjilan, ka reaguar Shoqata e Bankave të Kosovës.
Në reagimin e kësaj shoqate thuhet se ky incident tregon rëndësinë dhe nevojën që institucionet e sigurisë të jenë vigjilente në këtë fundvit.
“Vlerësojmë se situata e deritanishme e sigurisë ka qenë e qetë, megjithatë ky incident i sotëm tregon rëndësinë dhe nevojën që institucionet e sigurisë të jenë vigjilente në këtë fundvit, pasi që rastet e sulmeve të tilla kanë prirje të rriten në prag të festave të fundvitit. Me qëllim të krijimit të një klime dhe ambienti sa më të sigurt, konsiderojmë se është e nevojshme që të ketë kujdes të shtuar nga Policia e Kosovës. Andaj, i bëjmë thirrje të gjitha organeve të sigurisë për ngritje të nivelit të gatishmërisë në parandalimin e këtyre rasteve të rrezikshme që mund të jenë me pasoja të mëdha për qytetarët e Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi.
Sot rreth orës 15:25 me armë zjarri është sulmuar një automjet, i cili barte para të bankave në Kosovë. Rastin e ka konfirmuar Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Rajonit të Gjilanit./21Media

Back to top button