Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kërkon anulimin e vendimit të Qeverisë për paga

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kërkon anulimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përgjysmimin e pagave të prokurorëve.
Po ashtu, kjo shoqatë përkrah vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës të marrë dje në takimin e vetë të jashtëzakonshëm për reduktimin e punëve të prokurorive vetëm me shërbime esenciale, për pezullimin e të gjitha format të bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe për veprimet tjera të që parasheh vendimi i KPK-së.
Ata kanë paralajmëruar se do ta kontestojnë vendimin e Qeverisë përmes rrugëve ligjore.
“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës njofton opinionin publik se në koordinim me Këshillin Prokurorial të Kosovës do të ndërmerr veprime konkrete për kontestimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve, përmes rrugëve ligjore dhe organeve gjyqësore vendimmarrëse. Gjithashtu, do të shqyrtohen edhe shkeljet e mundshme të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe për hapat lidhur me këtë çështje opinioni do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen që ka pasur dje ka shfuqizuar vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017. Kryeministri Kurti tha se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë./21Media

Back to top button