Shoqatat e dala nga lufta në Dukagjin: E moshuara e sulmuar në Pejë është nënë e dëshmorit

Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së në Dukagjin kanë shprehur tronditje pas publikimit të pamjeve të tmerrshme, ku një e moshuar, e cila është nënë dëshmori, rrahet brutalisht në një shtëpi të moshuarve në Pejë.
Në një reagim për media është potencuar se njerëzit që janë sot në pushtet, në bashkëpunim me segmente të tjera pro-serbe në Kosovë, tash e shumë vite trumpetojnë kundër Luftës Çlirimtare dhe me mbështetjen edhe të disa mediave, kanë arritur të demonizojnë skajshëm kategoritë e dala nga lufta.
“Mbjellja e urrejtjes kundër çdo elementi çlirimtar nga ky “soj i fëlliqur, që nga kryeministri e deri te ministrat, deputetët, aktivistët e falangat fashiste të mediave sociale, ka nxjerr gjenerata të cilat e shohin me përqeshje, nënçmim e pa asnjë copëz respekti secilin që në mënyrë të ndryshme ka kontribuar për lirinë e vendit”, është shkruar nga Shoqatat e dala nga lufta në Dukagjin në një postim në Facebook.
Për më tepër, Shoqatat e dala nga lufta në Dukagjin kanë bërë të ditur se do përcjellin me kujdes veprimin e shtetit për këtë rast, përgjegjësinë për të cilin duhet ta merr secili punonjës dhe udhëheqës i institucionit në fjalë.
“Nëna e dëshmorit Taulant Nura, nuk është e vetmja që bie viktimë e urrejtjes së vlerave të lirisë. Raste të çdoditshme, ndodhin anembanë vendit, por, durimi ynë e ka një kufi. Ne bëjmë të ditur që çdo fyerje apo keqtrajtim i bartësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të trajtohet si sulm personal kundër secilit prej nesh. Nëse shteti të cilin ne e themeluam nuk ka mekanizma që na mbrojnë, atëherë ne do të jemi të detyruar ta mbrojmë vetveten. Të paktën këtë zanat e zotërojmë më së miri”, është bërë e ditur tutje në reagim.
Lidhur me rastin, dy gra janë arrestuar dhe janë duke e u intervistuar lidhur me videon e publikuar sot në rrjetet sociale, ku shihet një grua e moshuar duke u rrahur nga një infermiere në shtëpinë e të moshuarve ” ORENDA” në Pejë.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka informuar se është shqiptuar masa e arrestit prej 48 orëve kundër dy të dyshuarave për sulm ndaj të moshuarës.

Back to top button