Shpallja e rezultateve finale, KQZ me vonesën më të madhe që nga 2010

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vonesën më të madhe në shpalljen e rezultateve finale të zgjedhjeve parlamentare që nga viti 2010.
Eugen Cakolli nga KDI ka përkujtuar se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që u shpallën sot nga KQZ-ja, plot 34 ditë pas ditës së votimit, shënojnë vonesën më të gjatë që nga zgjedhjet e para 15 vjetësh.
Ai ka thënë se shpallja e sotme e rezultateve nuk shënon përfundimin e procesit, por vetëm mbylljen e një kapitulli, pasi në 48 orët e ardhshme pritet të parashtrohen mbase qindra ankesa, trajtimi i tërësishëm i të cilave mund të zgjasë deri në 12 ditë.
Prej tyre, gjithsej 6 ditë janë të parapara në PZAP dhe 6 të tjera në Gjykatën Supreme. Kjo, pa llogaritur vendimet që mund të marrin këto institucione, të cilat potencialisht mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe pse këto zgjedhje u mbajtën sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2023, KQZ-ja, për herë të parë, ka pasur gjashtë muaj kohë për t’u përgatitur për zgjedhjet parlamentare. Prapëseprapë, këto vonesa nuk mund t’i atribuohen vetëm ndryshimeve, por menaxhimit joadekuat të procesit të numërimit nëpër QKN dhe QNR – që u shoqërua me zvarritje të panevojshme, përfundon Cakolli.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha sot se përkundër sfidave me të cilat janë ballafaquar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve siguron se në asnjë moment nuk është cenuar integriteti i votës dhe rrjedhimisht vullneti i votuesve.
KQZ njoftoi subjektet politike se mund të parashtrojnë ankesë brenda afatit 48 orësh.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?