Shpata e lashtë prej bronzi gjendet në Gjermani

Arkeologët gjermanë kanë gërmuar dhe kanë gjetur një shpatë të epokës së bronzit më shumë se 3000-vjeçare e cila është ruajtur jashtëzakonisht mirë, shkruan BBC.

Shpata prej bronzi me një dorezë tetëkëndëshe u gjet në një varr në qytetin jugor të Noerdlingenit. Mendohet se është nga fundi i shekullit të 14-të para Krishtit.

Gjendja e saj është aq e mirë sa “pothuajse ende shkëlqen”, ka thënë Zyra Shtetërore e Bavarisë për Mbrojtjen e Monumenteve (BLfD).

Varri përmban eshtrat e një burri, gruaje dhe djali dhe sende të tjera prej bronzi.

Arkeologët nuk janë të sigurt nëse të tre kishin lidhje, dhe rrallësia e gjetjes ngre pyetje në lidhje me origjinën e shpatës.

BLfD thotë se prodhimi i një shpate të tillë ishte i ndërlikuar, pasi doreza ishte në teh. Shpata e Noerdlingen nuk duket se është përdorur për lufta, por besohet se ka qenë një armë e vërtetë, jo vetëm zbukuruese.

Back to top button