Shpenzimet e Prindon Sadriut, Gërvalla: E nevojshme reforma në MPJD

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, u deklarua sot për gjobën që dikasterit që drejton i është shqiptuar, pasi nuk publikoi shpenzimet e diplomatit Prindon Sadriu, njëherësh bashkëshort i presidentes Vjosa Osmani.
Gërvalla arsyetoi veprimin e MPJD-së, duke thënë se në sistemin e saj, ministria shpenzimet e misioneve i ka si shpenzime të misioneve, e  jo të ndara individualisht.
Kjo pasi, sipas saj, nuk kanë kapacitet të personelit momentalisht, shkruan rtv21.tv
“Sa i përket 13 mijë eurove gjobë e cila është shqiptuar, mund t’ju them vetëm çështjen ashtu siç është. Ne kemi pasur një kërkesë për shpenzime individuale të një diplomati të caktuar. Ministrja e Punëve të Jashtme në sistemin e saj shpenzimet e misioneve i ka si shpenzime të misioneve, nuk janë të ndara individualisht, nuk kemi kapacitetin sa i përket personelit momentalisht, prandaj dhe reforma në këtë institucion është edhe më e nevojshme që të ndajmë shpenzimet veç e veç”, tha Gërvalla në konferencë për media.
“Shpenzimet sa i përket misionit janë në dispozicion, vendimi nga ana e sekretarit është marrë kohë më parë, që të krijohet qasja në këto dokumente, prandaj mendoj që është diçka e cila është shumë logjike dhe e thjeshtë. Nuk kemi asnjë lloj interesimi  të fshehim asnjë shpenzim të vetëm dhe prandaj kemi lutur Departamentin e Financave që të përgatis dhe të realizojë sa më shpejt të jetë e mundur, duke filluar nga shpenzimet e kabinetit”, shtoi ajo.
Kryediplomatja premtoi se do t’i publikojnë shpenzimet e së kaluarës dhe këto aktuale, me qëllim që të sigurohet transparencë.
“Jemi në aspektin e realizimit teknik, vendimi politik është marrë për publikimin e tyre komplet”, tha ajo.
Pas përvojës së publikimi të shpenzimeve të kabinetit, Gërvalla tha se do të fillojnë të publikojnë edhe shpenzimet e misioneve diplomatike.
“Jemi të ndërgjegjshëm  që shpenzimet tona janë shumë më të vogla se sa në të kaluarën, janë shpenzime të arsyeshme dhe që paranë publike, jo vetëm që nuk e shpërdorojmë, por e menaxhojmë me shumë kujdes dhe shumë fanatizëm”, përfundoi Gërvalla./21Media

Back to top button