Shpërthen zjarri në burgun “Evin” të Iranit
Një zjarr i madh shpërtheu të shtunën në burgun famëkeq Evin të Iranit, i njohur për strehimin e të burgosurve politikë, gazetarëve dhe shtetasve të huaj.
Në videot e shpërndara në internet shfaqej flakë dhe tym në vend në Teheran dhe dëgjoheshin të shtëna armësh e shpërthime.
Një zyrtar i cituar nga media shtetërore tha se situata ishte nën kontroll.
Irani është përfshirë prej javësh nga protestat antiqeveritare.
Ato shpërthyen për herë të parë muajin e kaluar pas vdekjes së 22-vjeçares kurd-iraniane Mahsa Amini në paraburgim nga policia.
Zyrtarët thanë se ajo vdiq nga një atak në zemër, por familja e saj e kundërshtoi këtë, duke thënë se ajo ishte rrahur nga Policia.
Ende nuk dihet nëse situata në burg është e lidhur me protestat e fundit./21Media