Shpërthimet e reja të COVID- 19, Australia dhe Tajvani me masa të reja

 

Tajvani dhe Australia kanë bërë të ditura masat e reja me qëllim të kontrollimit të shpërthimeve të reja të koronavirusit.

Tajvani do të zgjasë zbatimin e masave kufizuese deri më 28 qershor dhe shkollat do të mbesin të mbyllura deri në kohën e pushimeve verore, kanë thënë autoritetet më 7 qershor.

Tajvani është përballur me rritje të numrit të rasteve, andaj organizimet janë ndaluar dhe studentët do të ndjekin mësimet online.

Qeveria në këtë vend ka raportuar 11 mijë e 298 raste prej shpërthimit të pandemisë dhe 260 viktima.

Mirëpo zyrtarët janë të shqetësuar për variantet e reja, ndërkohë që vetëm 3 për qind e popullsisë është vaksinuar, dhe atë kryesisht vetëm me një dozë.

Ndërkohë Viktoria në Australi ka raportuar sot rritjen më të madhe të rasteve lokale brenda një jave.

Autoritetet po tentojnë të gjurmojnë burimin e variantit Delta, që është identifikuar te të infektuarit. Autoritetet kanë raportuar 11 raste të reja, për dallim nga dy një ditë më herët. Banorët e Melburnit janë duke pritur nëse do të masat e izolimit do të përfundojnë, siç është planifikuar më 10 qershor.

“Asgjë nuk mund të përjashtohet”, ka thënë shefi shëndetësor në Viktoria, Brett Sutton.

Melburni ka hyrë në ditën e 11-të të izolimit të ashpër më 7 qershor, pasi autoritetet kanë identifkuar për herë të parë variantin Delta të koronavirusit.

Ky variant, që është klasifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një nga variantet më shqetësuese, ka mundësi të ketë shkaktuar valën e fundit vdekjeprurëse në Indi. Që nga shfaqja për herë të parë e virusit korona, në nivel botëror janë infektuar më shumë se 174 milionë persona. Nga ta rreth 157 milionë janë shëruar, teksa 3 milionë e 745 mijë kanë vdekur. Raste aktive mbesin 13 milionë e 220 mijë./21Media

Back to top button