Shpërthimi i mjetit në një lokal në Ranillugë, reagon Lista Serbe

(Lajm i përditësuar)

Lista Serbe ka deklaruar se nuk paragjykojnë shpërthimin në Ranillugë, por pretendojnë se të ashtuquajturat sulmet ndaj serbëve në Kosovë lidhen me retorikën siç propagandon ky subjekt politik “regjimit të Prishtinës”.

”Dënojmë ashpër sulmin me një pajisje shpërthyese ndaj pronës së deputetit të Listës Serbe Zoran Maksimoviq në Ranilug dhe kërkojmë që drejtësia përgjegjëse për këtë akt të tmerrshëm që ka mërzitur të gjithë serbët, sidomos në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Lista Serbe thotë se përgjegjësia është e institucioneve vendore si dhe atyre ndërkombëtare.

”Duhet urgjentisht të përcaktohen të gjitha faktet dhe rrethanat e këtij sulmi, sepse është e papranueshme që qytetarët të sulmohen pa asnjë arsye, e sidomos jo përfaqësuesit e popullit serb. Nuk duam të paragjykojmë rrjedhën e hetimit, por seria e sulmeve ndaj serbëve në Kosovë është pasojë e retorikës së regjimit në Prishtinë dhe pandëshkueshmërisë së javëve të mëparshme. Ndajmë qëndrimin e qytetarëve se pasiguria e serbëve është pasojë dhe pasivitet i institucioneve kompetente të sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare të cilat janë përgjegjëse për sigurinë e të gjithë qytetarëve përfshirë edhe serbët në këtë fushë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.


Shpërthen një mjet në një lokal në Ranillugë, Policia jep detaje

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndodhur një shpërthim të shtunën në ora 14:15 në lokalin e quajtur “Kod Maksi” në Ranillugë.

Gjithashtu bëhet e ditur se lokali është i serbit me inicialet Z.M.

”Njësitet policore relevante patrulluese, hetues nga Stacioni Policor Ranillugë, hetues rajonal duke përfshirë Krim Teknikën Rajonale dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive i janë përgjigjur rastit”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se nga ky rast lëndime trupore nuk ka pësuar askush.

”Pronari i lokalit nuk është takuar nga policia pasi i njëjti për momentin gjendet në pushime jashtë Republikës së Kosovës. Rrethanat se si ka ndodhur rasti vazhdojnë të hetohen nga Hetues Rajonal të Policisë në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit”, përmbyllet njoftimi i Policisë së Kosovës./21Media

Back to top button