Policia bashkë me zjarrfikësit dhe ekipet tjera emergjente, kanë shpëtuar një person i cili dyshohet se kishte dashur të kërcejë nga kulmi i ndërtesës së Klinikës Psikiatrike.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, në orët e para të mëngjesit (07:55) ka pranuar një informatë se në një Klinikë në Prishtinë një person ka hipur në kulmin e ndërtesës (klinikës psikiatrike) dhe është duke tentuar që të kërcej nga aty.

“Njësitë policore të stacionit Jugu në Prishtinë kanë reaguar me shpejtësi në lokacion, me ç‘rast është njoftuar edhe njësia e zjarrfikëseve dhe ambulanca. Pas një bashkërendimi të mirë dhe profesional të veprimeve të të gjitha ekipeve për menaxhimin e situatës së paraqitur, me ndihmën e shkallëve të zjarrfikëseve është arritur që zyrtarët policor të afrohen deri afër personit që dyshohej se do të kërcej nga kulmi i ndërtesës (klinikës)”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet “zyrtarët policor gjatë tërë kohës përmes veprimeve dhe komunikimeve mjaft profesionale për rrethanat e ngjarjes janë përpjekur ta qetësojnë personin në fjalë në mënyrë që ta shmangin incidentin dhe për një çast është arritur të kapet personi, mirëpo gjatë përpjekjeve për ta kapur, personi në fjalë tashmë i dyshuari mashkull/kosovar (viti i lindjes 1993) ka filluar të përdor dhunë të vazhdueshme dhe duke sulmuar zyrtarët policor. Megjithatë, falë përpjekjeve dhe vendosmërisë së zyrtarëve, i dyshuari është vënë nën kontroll dhe me ndihmën e zjarrfikësve është arrit zbritja e tij në tokë, përderisa i njëjti menjëherë iu është nënshtruar trajtimeve mjekësore në klinikën psikiatrike”. 

Gjatë këtij intervenimi për ta parandaluar personin në fjalë të kërcej nga ndërtesa dhe ballafaqimit me të, lëndime trupore kanë marr tre zyrtarë policorë, të cilët kanë marr trajtim mjekësor në emergjencë.

Lidhur me rastin janë intervistuar edhe disa dëshmitarë dhe në konsultim me prokurorin janë ndërmarr veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave të rastit./21Media