Tetë muaj nga vdekja e Agon Musliut, prindërit e tij paralajmërojnë padi ndaj Qeverisë Kurti

 

Sot bëhen tetë muaj prej që 26 vjeçari Agon Musliu u vetëvra në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila ishte kthyer në karantinë.

Tetë muaj më pas, nëna e Agonit, Sofija dhe babai Naimi sot vendosen kurorë me lule tek konviktet, aty ku i biri i tyre ndërroi jetë.

Dy prindërit e Agonit po kërkojnë drejtësi për djalin, e për çka paralajmëruan edhe padi ndaj Qeverisë Kurti, qeveri kjo e cila udhëhiqte me vendin në kohën kur Agoni u vetëvra.

Naim Musliu thotë se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi qoftë edhe jashtë vendit.

Pasi vendosën kurorë me lule, Musliu thekson se për tetë muaj po jetojnë në pikëllim por që edhe më pikëlluese thotë se është padrejtësia që po i bëhet të birit.

“Jemi në ditën kur djali ynë po mbushë tetë muaj ndarje nga jeta në këtë vend tragjik. Në 26 vjetorin e lindjes dhe tetë mujorin nga jeta me pikëllim të madh kemi përjetuar këta muaj por mbi të gjitha po përjetojmë pikëllim edhe më të madh ndaj padrejtësisë që po i bëhet djalit tonë. Në fillim kam thënë se padrejtësi bie pikërisht mbi qeverinë Kurti dhe qeveria e tij, Sveçla(ish-ministër i Punëve të Brendshme) e Vitia(ish-ministër i Shëndetësisë). Unë për këtë do të kërkojë drejtësi dhe nuk do të ndalem asnjëherë. Do të bëjë edhe një padi se padrejtësisht në mënyrë kundër ligjore dhe kundër kushtetuese ka qenë vendosja dhe karantinim ku ndërroi jetë djali im”, tha Musliu.

Babai Naimi po kritikon edhe deputetët e Vetëvendosjes të cilët janë pjesë e komisionit hetimor për menaxhimin e pandemisë COVID-19, për të cilët sipas tij votuan kundër shkuarjes së tij në këtë komision.

Musliu thotë se në mënyrë kundërligjore u vendos karantinimi për çka do të bëjë padi ndaj Qeverisë Kurti.

“Kisha me shtu lidhur edhe padrejtësinë që po i bëhet djalit tim në komisionin hetimor nëqfotëse dojnë mediat me kuptu mirë munden me vërtetu edhe votimi kur u bë se a kanë votuar deputetët e Vetëvendosjes për shkuarjen time në komisionin hetimor të parlamentit. Të gjitha deputet e Vetëvendosjes kanë votuar kundër, çka i kam penguar unë, çka i ka shtyrë ata, ata vet e dinë. Çka dojnë me hesht, çka duan të mbrojnë, ata vetë e dinë. Por unë do të veproj, do të punoj dhe nuk do të ndalem për drejtësi asnjëherë për djalin tim. Do të bëjë padi njëherë përnjëherë që po mendoj që Kurti dhe qeveria e tij bënë padrejtësi. Padrejtësi e madhe se në mënyrë kundër ligjore dhe kundër kushtetuese e bënë këtë karantinim ku humbi jetë edhe djali im”, tha ai.

Mulsiu ka ritheksuar se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për të birin. Edhe nëna Sofia tha shkurt se duan drejtësi për të birin.

“Nuk do të ndalem kurrë së kërkuari drejtësi qoftë edhe jashtë vendit. Përderisa për të tjerët po kërkoni drejtësi, pse mos të kërkoj unë për djalin tim të vetmin që e pata. Djali jonë nuk ka pasë lidhje fare me politikë”, theksoi ai.

Edhe nëna e Agonit tha se duan drejtësi dhe vetëm drejtësi për të birin.

“Drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi”, u shpreh ajo.

Back to top button