Shqipëri: Ia mori 135 mijë euro duke e mashtruar, arrestohet 30 vjeçari nga Kosova

Policia e Tiranës ka arrestuar një 30 vjeçar nga Kosova për veprën penale “Mashtrimi.”
Operacioni “Mysafiri” i finalizuar pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë çoi në pranga shtetasin Q. K., 30 vjeç, banues në Kamenicë, Kosovë.
Policia bën me dije se hetimet kishin nisur që në vitin 2021.
Ky shtetas dyshohet se nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, ka përfituar shumën 135000 euro nga një shtetase, me pretendimin se do t’i investonte në Call Center.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se 30 vjeçari nëpërmjet mashtrimit, ka përfituar shuma të ndryshme monetare, nga shtetas të ndryshëm në Republikën e Shqipërisë, siç ka njoftuar Policia vendase.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./oranews

Back to top button