Shqipëria 15 vjet në NATO, Rama falënderon Blinkenin për urimin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka falënderuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken pas urimit të tij për 15 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Rama është shprehur se Shqipëria ka kontribuar me krenari në mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e NATO-s.

“Faleminderit sekretar Blinken. Ky 15-vjetor i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk është vetëm një festë e arritjeve tona të së shkuarës, por edhe një riafirmim i përkushtimit tonë të palëkundur ndaj parimeve dhe vlerave që mbështesin Aleancën tonë. Gjatë 15 viteve të fundit, Shqipëria ka kontribuar me krenari në mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e NATO-s dhe ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të mbështetur paqen dhe vlerat demokratike në të gjithë rajonin tonë dhe më gjerë”, shkroi Rama në “X”.

Tutje, ai u shpreh se ndjehet i nderuar për qëndrimin, siç tha ai, krah për krah me aleatët.

“Ne jemi të nderuar të qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, ndërsa vazhdojmë të përshtatemi dhe forcojmë bashkëpunimin tonë përballë sfidave globale në zhvillim. Ne presim shumë vite të tjera bashkëpunimi të frytshëm brenda familjes së NATO-s. Faleminderit për aleancën, miqësinë dhe partneritetin Shqipëri-ShBA”, shkroi tutje ai.

Back to top button