Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruajnë marrëveshje për siguri kibernetike

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në fushën e Sigurisë Kibernetike. Firma është vendosur në Tiranë, në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe të ministrit të Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan. Rama ka thënë se kjo marrëveshje është e një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për Shqipërinë sepse ka të bëjë me sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Memorandumi i Mirëkuptimit midis Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe, sipas Ramës është i një rëndësie jetike.

“Së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia dua të falënderoj prej zemrës ambasadorin e Emirateve te Bashkuara Arabe dhe të gjithë ata që nën këshillimin e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Ministrit të Jashtëm, kanë ardhur të nënshkruajnë këtë marrëveshje që është e një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për vendin tonë sepse ka të bëjë me sovranitetin e këtij vendi, integritetin e këtij vendi dhe me atë çka është sot lloji i ri i kërcënimit ndaj sovranitetit dhe integritetit, jo duke treguar tanket apo avionët që shkelin integritetin territorial por duke piratuar e duke sulmuar hapësirën kibernetike për të paralizuar të gjitha funksionet shtetërore”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe po punon edhe për të mbështetur procesin e normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“I jam shumë mirënjohës mikut tim të dashur e të vërtetë dhe ministrit të Jashtëm për vizitën e tij dhe dua të cek faktin se ai mbërriti në Tiranë, pasi kishte qenë në Prishtinë e më parë në Beograd. Ai është këtu jo vetëm si dëshmitar i dëshirës dhe vullnetit të plotë të Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u bërë pjesë e një rrugëtimi të gjatë drejt një të ardhmeje më të mirë, por edhe për të bërë gjithçka për të mbështetur procesin e normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës si dhe për tu siguruar që të gjitha vendet së bashku të marrin gjithmonë e më tepër së bashku në të ardhmen dhe të jenë gjithmonë e më pak më të lidhur me të shkuarën që nuk është kurrsesi një motivim i mirë për të ardhmen, nëse nuk e shohim si një arsye për të vrapuar drejt së ardhmes”, ka thënë ai.

E ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, ka thënë se është i interesuar që të thellojnë bashkëpunimin me Shqipërinë.

“Kryeministër, jam i lumtur të shoh që marrëdhënia jonë po rritet, por do të thoja që do të doja që ajo të rritej më shpejtë. Ka kaq shumë gjëra të mira që po ndodhin, ashtu siç ju e përmendët me të drejtë, por ka edhe shumë të tjera që mund të bëjmë sipas bisedës që edhe bëmë bashkë me kolegët e mi për energjinë, për energjitë e ripërtëritshme, infrastrukturën, turizmin dhe folëm edhe për bujqësinë. Kryeministër, përmes jush do të doja të them se ne në Emiratet e Bashkuara Arabe jemi të nderuar që kemi 12 mijë shqiptarë që jetojnë në Emirate, të cilët kanë bërë një punë mjaft të mirë. Shpresoj fort që të ndihen si në shtëpi aty. Ne do të bëjmë gjithçka të mundur për ta që të ruajnë kontaktet në vend, por edhe që ata të mos ndjejnë mallin shumë për shtëpinë duke qenë se janë në Emiratet e Bashkuara Arabe”, ka thënë minsitri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai ka thënë se do të punojnë që normalizimi në mes të Kosovës dhe Serbisë të jetë i suksesshëm dhe sipas tij t’i jap popujve më shumë shpresë për të ardhmen.

“Kryeministër, dua vetëm të them se Emiratet e Bashkuara Arabe do të përpiqen që të punojnë me miqtë e tyre në Ballkan duke vlerësuar paqen, duke vlerësuar zhvillimin dhe duke respektuar të shkuarën dhe historinë, por për aq kohë sa mund të ecim përpara dhe e shohim procesin e normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës si diçka që është jashtë mase inkurajuese. Ne e mbështesim fort atë dhe do të punojmë shumë me ju dhe me miq të tjerë në Ballkan për tu siguruar që normalizimi i Kosovës dhe Serbisë të jetë i suksesshëm dhe tu japë popujve të të dy vendeve më shumë shpresë për të ardhmen”, ka thënë ai.

Memorandumi në Tiranë u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike Igli Tafa dhe ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulaiman Humad Salem ALMazroui, përfaqësues i Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Back to top button