“Shqipëria dhe Kosova në 2019-ën, kanë rritë shkëmbimin tregtar për 15%”

Minxhozi tha se i takon qeverisë së ardhshme t’i përcaktojë prioritet e zhvillimit rajonal dhe nacional ndërkombëtar për Mini-Shengen

Duhet të forcohet tregu midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar të gjitha hapësirën që mos të ketë barriera për zhvillimin e shkëmbimeve midis nesh. Shtetasit e Shqipërisë kanë vështirësi për të marrë leje qëndrimi në Kosovë, kurse për të bërë biznes në Shqipëri procedurat tashmë janë më të çliruara.

Kështu tha në një intervistë për Kp, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili theksoi se në vitin që lamë pas Shqipëria dhe Kosova kanë shkëmbyer 15% më tepër se në 2018 dhe kanë shmangur disa barriera doganore, por prapë ka pengesa.

Edhe pse marrëdhëniet politike së fundmi nuk janë të kënaqshme, veçmas prej iniciativës për Mini-Shengen Ballkanik, megjithatë sa i përket marrëdhënieve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka trend rritës.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se i takon qeverisë së ardhshme t’i përcaktojë prioritet e zhvillimit rajonal dhe nacional ndërkombëtar për Mini-Shengen, teksa deklaroi se në radhë të parë të dyja qeveritë duhet ta forcojnë tregun midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Minxhozi është i vetëdijshëm për qëndrimet e Kosovës dhe Shqipërisë rreth iniciativës për Mini-Shengen, sipas të cilit shpesh herë ka edhe konflikte verbale.

 “Herë pas herë ka edhe konflikte dhe bërryla që ndodhin… Në radhë të parë ne duhet të forcojmë tregun midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ne duhet të krijojmë gjithë hapësirën që mos të ketë barriera për zhvillimin e shkëmbimeve midis nesh. Mendoj se në qoftë se vjen një investitor në Kosovë, ai patjetër duhet të shkoj edhe në Shqipëri dhe anasjelltas, sepse ne jemi dy vende të vogla. Ne duhet të jemi shembull edhe për Ballkanin për sa i përket heqjes së barrierave për thithjen e investimeve të huaja. Kur flasim për bashkim kombëtar që është një dëshirë shumë e madhe, që ka një domethënie në radhë të parë për bashkim tregjesh dhe të interesave të përbashkëta që janë në funksion të zhvillimit të ekonomisë. Megjithatë këtë çështje nuk e kemi bërë mirë ashtu siç duhet. Është një lajm i mirë që janë hequr barrierat sa i përket energjisë elektrike që për këtë ka përfituar edhe Shqipëria”, tha Minxhozi.

Diçka që nuk po i pëlqen diplomatit shqiptar këtu në Kosovë, janë vështirësitë për të marrë leje qëndrimi shtetasit nga Shqipëria. Minxhozi po kërkon trajtim më të veçantë për qytetarët dhe biznesmenët për leje qëndrimi.

 “Për të bërë biznes në Shqipëri procedurat tashmë janë më të çliruara, e njëjta gjë ndodhë edhe për bizneset që vijnë nga Shqipëria. Këtu në Kosovë ka një problem shumë të madh, është shumë e vështirë për të marrë një leje qëndrimi në Kosovë për një shtetas të Shqipërisë, për një biznesmen të Shqipërisë. Kjo për shkak se nuk është me ligj që për shqiptarët të ketë një trajtim tjetër. Për të marrë një leje qëndrimi në Kosovës është tepër e vështirë dhe leja e qëndrimit duhet të përsëritet për çdo vit. Në Shqipëri është më liberale. Një biznesmen nga Kosova mund të shkoj në Shëngjin dhe të bëjë biznes shumë lehtë. Ndaj, këtu në Kosovë nuk ndodhë. Pra, kur themi se ka vështirësi, këto janë të dy anshme dhe nuk kemi punuar aq sa duhet si ne në Shqipëri, edhe këtu në Kosovë për t’i hequr këto barriera që janë një hendikep i madh”, deklaroi ai.

Ndërkaq, ambasadori Minxhozi po pranon se taksa rrugore në “Rrugën e Kombit”, është e shtrenjtë, por po shpreson që do të ketë një ulje të çmimit të taksës në të ardhmen.

Sipas ambasadorit, sikurse që ka biznese të Kosovës që ankohen se në Shqipëri nuk ka klimë të favorshme për të bërë biznes, ashtu edhe bizneset e  Shqipërisë po ankohen për kushtet e të bërit biznes në Kosovë.

Po ashtu, Minxhozi pohoi për Kp se janë shmangur disa barriera doganore, por ende disa prej tyre janë pengesë për bizneset, sikurse certifikatat sanitare dhe çmimi i lartë i skanerit të mallrave në kufi.

 “Kemi shmangur disa barriera doganore, por prapë ato bëhen një pengesë. Porti i Durrësit është në funksion që është realizuar, por prapë se prapë ne do të shikojmë mundësinë që të mos ketë veprime të dyfishta që edhe Shqipëria dhe Kosova bëjnë. Ne duhet të bëjmë një herë e përgjithmonë një rregull në praktikë për sa i përket… certifikatave sanitare. Po shikojmë mundësinë e skanerit që të ketë një zbutje, sepse akoma mbetet një pengesë”, shtoi ai.

Minxhozi u shpreh mirënjohës për humanitetin dhe solidaritetin e kosovarëve të treguar në tragjedinë e ndodhur nga tërmeti që e goditi Shqipërinë në nëntor.

Këtë vit, Kosova ka importuar mallra nga Shqipëria në vlerë mbi 250 milionë euro, ndërsa ka eksportuar rreth 70 milionë euro.

Back to top button