Shqipëria e mbyll vitin me fitore, 2-0 ndaj Armenisë

Shqipëria rikthehet të fitojë pas më shumë se një viti. Kuqezinjtë e Edi Rejës mposhtën 2-0 Armeninë në “Air Albania”, teksa suksesi i fundit ishte regjistruar në 15 nëntorit e vitit të kaluar përballë Andorrës (1-0).
Xhuliano Skuka zhbllokoi takimin pas gjysmë ore lojë në takimin e tij të parë si titullar me Kombëtaren. Aksion shumë i bukur i Shqipërisë, Kristjan Asllani, lojtari më i mirë i ndeshjes, “shpiku” një pasim fantastik për Enis Çokajn.
Mesfushori i Panathinaikosit dhuroi një asist për Skukën, i cili dërgoi topin në rrjetë duke ndezur festën në “Air Albania”. Sulmuesi i Partizanit pati një tjetër shans të artë në pjesën e dytë, por goditi mbi tra.
Goli i qetësisë erdhi në minutën e 63’. Tedi Cara fitoi një penallti, ekzekutimin e të cilës e mori përsipër Asllani. Mesfushori i Interit gjuajti saktë dhe gjeti golin e parë me kuqezinjtë. Golin e gjeti edhe Cara (87’) pas asist të Asllanit, por arbitri anësor e anuloi për pozicion të parregullt. Shqipëria menaxhoi mirë minutat e mbetura dhe në fund siguroi një fitore të rëndësishme në aspektin moral.

Back to top button