Shqipëria më e varfra, të fundit në Evropë për të ardhurat për frymë

Familjet shqiptare kanë të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe Evropë. Prej 5 vjetësh situata e të ardhurave për qytetarët paraqitet e njëjtë. Nga të dhënat e publikuara nga Eurostat, Shqipëria ka të ardhura për frymë sa 30% e mesatares evropiane. Mali i Zi kryeson listën në rajon me nivelin më të lartë të të ardhurave dhe konsumit.
Shqipëria vijon të mbetet vendi më i varfër i Evropës, sa i përket të ardhurave dhe konsumit, të cilat janë më të ulëtat për frymë. Sipas EUROSTAT, gjatë vitit të kaluar shqiptarët kishin të ardhura për frymë sa 30% e mesatares së Bashkimit Evropian, më e ulëta në Evropë.
Në raport me dy vitet e fundit, kjo përqindje ka mbetur e pandryshuar. Të dhënat për vitin e kaluar tregojnë se është thelluar edhe diferenca me shtetet e tjera të rajonit. Shqipëria është tashmë më e varfër edhe se Bosnjë-Hercegovina, e cila ka një mesatare prej 33% të BE-së në vitin 2020. Në vitin 2016, diferenca mes këtyre dy shteteve ishte 1 pikë përqindje, ndërsa në 2020 është thelluar në 3 pikë përqindje.
E treta në renditje vjen Maqedonia e Veriut me 38% të mesatares së vendeve të BE, e ndjekur nga Serbia me 43%. Mali i Zi ka nivelin më të lartë të të ardhurave në rajon me 45% të mesatares së BE, edhe pse ka një rënie të ndjeshme në krahasim me vitin 2019. Në këtë raport nuk janë përfshira të dhënat për Kosovën.
Edhe në treguesin tjetër, për konsumin individual për frymë që mat mirëqenien e familjeve, Shqipëria është sërish e fundit në Evropë me 39% të mesatares së BE-së, përkundrejt 42% në Bosnjë-Hercegovinë, 43% në Maqedoninë e Veriut, 51% për Serbinë dhe 59% për Malin e Zi.
Sipas Eurostat, në vitin 2020, Luksemburgu dhe Irlanda shënuan nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë përkatësisht 163% dhe 109% mbi mesataren e BE-së./oranews

Back to top button