Shqipëria merr një pikë si mysafire e Çekisë

(lajm i përditësuar)
Shqipëria merr një pikë si mysafire e Çekisë
Ka përfunduar pa fitues përballja tejet interesante mes Republikës së Çekisë dhe asaj të Shqipërisë.
Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Fortuna Arena” të Pragës, Shqipëria ka barazuar 1:1 si mysafire e Çekisë, raporton KosovaPress.
Fillimisht, rezultatin i pari e zhbllokoi Vaclav Cerny, i cili kaloi Çekinë në avantazh prej 1:0 në minutën e 56’.
Ndërkaq, rezultatin për Shqipërinë e barazoi Nedim Bajrami, i cili shënoi një super gol në minutën e 66’ për ta barazuar rezultatin në 1:1.
Goli i Bajrami rezultoi të jetë i fundit i kësaj ndeshje, dhe i një pike tejet të rëndësishme për “kuqezinjtë” në udhëtim ndaj Çekisë.
Me pikët e reja, Shqipëria zë vendin e dytë në Grupin E me shtatë pikë të arkëtuara, krahas Çekisë që ka tetë pikë në vendin e parë.
Rezultati final i ndeshjes, 1:1.
Fillon ndeshja mes Çekisë dhe Shqipërisë
Ka filluar të zhvillohet minuta e parë e ndeshjes tejet interesante mes Çekisë dhe Shqipërisë.
Ndeshja po zhvillohet në stadiumin “Fortuna Arena” të Pragës, dhe konsiderohet përballje direkte për pozitën e parë në Grupin E, raporton KosovaPress.
Shqipëria zë vendin e dytë në Grup me gjashtë pikë, krahas Çekisë që renditet e para me shtatë pikë.
Çekia-Shqipëria, formacionet zyrtare
Sonte me fillim nga ora 20:45 stadiumi “Fortuna Arena” do të jetë nikoqir i përballjes tejet interesante mes Republikës së Çekisë dhe Kombëtares së Shqipërisë.
Ndeshja e sotme e cila luhet në Pragë i takon fazës së grupeve të kualifikimeve drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.
“Kuqezinjtë” e Sylvinhos rikthehen nga fitoret ndaj Ishujve Faroe dhe Moldavisë, fitore këto të cilat e pozicionojnë Shqipërinë në vendin e dytë në Grupin E me gjashtë pikë të arkëtuara.
Në anën tjetër, Çekia pas tri ndeshjeve të zhvilluara ka arritur të arkëtojë shtatë pikë (fitore ndaj Ishujve Faroe e Polonisë dhe barazim Moldavinë), bilanc ky i cili momentalisht i siguron vendin e parë në grup me një pikë më shumë se Shqipëria.
Të dy këto kombëtare janë përballur vetëm një herë me njëra-tjetrën, ku në miqësoren e zhvilluar në qershor të vitit 2021, Çekia e mposhti Shqipërinë 3:1.
Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy kombëtaret do të kenë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Çekinë nuk paraqiten Doudera, Jurasek dhe Schick kurse te Shqipëria mungojnë Kumbulla dhe Laçi.
Formacionet zyrtare i gjeni më poshtë.

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?