Shqipëria nis transaksionet e para në SEPA, Rama: Kosto më e lirë, vetëm vitin e parë kursehen 20 milionë euro

Këtë të martë hyri në fuqi anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, duke i lejuar qytetarët dhe bizneset shqiptare të kryejnë transferta në euro me vendet e Bashkimit Evropian me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE.
Kryeministri e Shqipërisë, Edi Rama e përshëndeti këtë moment si një arritje të rëndësishme në rrugën e integrimit evropian, ndërsa tha se vetëm vitin e parë do të kursehen nga transaksionet rreth 20 milionë euro.
“Nga sot, 7 tetor, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE. Shqipëria është tashmë anëtare e plotë e SEPA-s (Zonës së Pagesave të Vetme në Euro) dhe shqiptarët do të paguajnë Komisione të njëjta me transfertat brenda vendit – sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, vetëm vitin e parë parashikohet një kursim prej rreth 20 milionë euro në vit për qytetarët dhe bizneset shqiptare”, ka shkruar Rama.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?