Shqipëria përfshihet nga zjarret
Zjarrvënia dyshohet se ishte e qëllimshme
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë Shqipërinë kanë ndodhur 12 vatra zjarri, ndërsa në operacionet për shuarjen e flakëve u angazhuan 115 zjarrfikës me 13 automjete, forcat ushtarake, vullnetarë si dhe helikopterë.
Një zjarr masiv ka ndodhur pasditen e sotme mbi fshatin Goricë në Dropull të Shqipërisë.
Zjarrvënia, që dyshohet se ishte e qëllimshme, rrezikoi seriozisht disa banesa dhe kishën e Shën e Premtes.
Në një situatë të tillë, forcat zjarrfikëse u bëjnë apel barinjve që të tregohen të kujdesshëm.
Ndërkohë, pyjet në Dibër vazhdojnë të digjen nga flakët. Një tjetër vatër zjarri u riaktivizua në Klos, duke rrezikuar dy banesa të braktisura, ndërsa në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar 40 forca ushtarake dhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri. Më herët, një vatër e madhe zjarri shkatërroi një sipërfaqe të madhe me pemë të larta në zonën e Bulqizës. Aty, bashkë me zjarrfikësit, edhe banorët punuan për të mbajtur nën kontroll flakët.
Ndërsa në fshatin Mavrovë të Selenicës flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?