Shqiptarët në mbarë botën shënojnë 113-vjetorin e Pavarësisë

(Lajm i përditësuar)
Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, uron Osmani: Dy shtete, një komb, një zemër
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar festën e 28 Nëntorit, duke theksuar rëndësinë historike të katër ngjarjeve të shënuara për kombin shqiptar.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani e ka cilësuar lidhjen mes Kosovës dhe Shqipërisë si të thellë dhe të pandashme, duke i quajtur të dyja shtetet “dy flamuj, por një zemër.
“Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare. Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër. Gëzuar Ditën e Flamurit! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!”, ka shkruar e para e vendit.
Kurti uron 28 Nëntorin: Nuk ka komb tjetër në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar shqiptarët për 28 nëntor.
Përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë.
Kurti ka përmendur vitin 1443, kur u ngrit flamuri Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane, pastaj shumë shekuj më vonë shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912, kur flamuri shqiptar u ngrit në Vlorë.
Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës, shkruan Kurti.
Ai përmend se po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri.
Postimi i plotë:
Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.
Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”
Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.
Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!
Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:
Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!
Shqiptarët sot festojnë 28 Nëntorin
Sot Shqipëria feston 113-vjetorin e Pavarësisë. Shqiptarët e të gjitha trevave e nderojnë këtë ditë si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit. Në të gjitha qytetet zhvillohen aktivitete festive, me në qendër në Vlorë, aty ku Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi më 28 nëntor të vitit 1912.
28 nëntori përkon gjithashtu me Ditën e Flamurit dhe kujton figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili më 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane.
469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i quajtur edhe “Nëntori i dytë”, erdhi shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali. Pavarësia u deklarua në Kuvendin e Vlorës ku morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Menjëherë pas saj, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia.
Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
Në këtë ditë të shënuar, do të mbahen një sërë aktivitetesh. Në Vlorë, aktivitetet përfshijnë ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit që pritet të nisë në orën 10:00, nderime te varri i Ismail Qemalit, parada, ekspozita, panaire, shfaqje folklorike, koncerte rinore e simfonike, si dhe Koncertin e Madh Festiv në mbrëmje.
Po ashtu edhe Tirana do të jetë e mbushur me aktivitete. Festa nis në orën 10:00, me ceremoninë e Nderimit të Flamurit. Më pas, Pazari i Ri do të shndërrohet në një hapësirë të madhe festive me aktivitete tradicionale, ku të rritur e fëmijë do të shijojnë gatime shqiptare, performanca folklorike dhe muzikë live.
Në bulevard, tek instalacioni “Trumpeta”, Ansambli Popullor i Tiranës do të sjellë një performancë të veçantë që premton emocione dhe atmosferë të ngrohtë. Një koncert i dedikuar fëmijëve do të zhvillohet në Kopshtin Zoologjik, ndërsa Parku Rinia do të presë një sërë aktivitetesh të hapura për të gjithë publikun.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?