​ShSKUK deklarohet pas mbledhjes së jashtëzakonshme lidhur me rastin në Klinikën e Psikiatrisë

(Lajm i përditësuar)


​ShSKUK deklarohet pas mbledhjes së jashtëzakonshme lidhur me rastin në Klinikën e Psikiatrisë

Pas rastit të vdekjes në Klinikën e Psikiatrisë, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të bëjë vlerësim të gjendjes dhe bazuar në kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës.

Në njoftim është theksuar se bordi ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Pas diskutimeve, Bordi Drejtues ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, konform përgjegjësive dhe autorizimeve ligjore të bëjë vlerësim të gjendjes dhe bazuar në kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës. Po ashtu, do të ndërmerren veprime të tjera ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla”, është bërë e ditur në njoftimin e ShSKUK-së.

Një pacient ka mbetur i vdekur nga zjarri në shërbimin emergjent të Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, ndërsa u raportua se tre punëtorë shëndetësorë janë asfiksuar


Vdekja nga zjarri e pacientit në Psikiatri, Haxhiu: Dështim i radhës, dikush duhet të marrë përgjegjësi

“Vdekja e pacientit dhe asfiksimi i stafit mjekësor si pasojë e zjarrëvënies në Klinikën e Psikiatrisë është dështimi i radhës, është paaftësia në kujdesin ndaj pacientëve dhe menaxhim shëndetësor.”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ai ka thënë se për këto rastë dikush duhet të marrë përgjegjësi, përcjell portali rtv21.tv

“Çka dhe sa raste e skandale duhet të ndodhin që dikush të marrë përgjegjësinë për vdekjet e shumta që po ndodhin në SHSKUK, si dhe shkatërrimin e sistemit tonē shëndetësor? Përse janë gjetur mjete rrethanore të rrezikshme te pacienti psikiatrik siç po përshkruhet me shenja agresiviteti?”, ka përfunduar Haxhiu.


Zjarri në Psikiatri, SHSKUK: Dyshohet se pacienti dogji vet dhomën në të cilën vdiq, i gjithë ekipi kujdestar u asfiksua

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka dhënë detaje lidhur me zjarrin në Klinikën e Psikiatrisë.

Sipas njoftimit mbrëmë (e mërkurë) rreth orës 23:00, në Repartin e Urgencies dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore.

“Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.”, thuhet në njoftim, përcjell portali rtv21.tv.

Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente.


Zjarri në Psikiatri, policia jep detaje për RTV21

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për portalin rtv21.tv lidhur me zjarrin në Klinikën e Psikiatrisë ku vdiq një person dhe u lënduan pesë të tjerë.

Zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se sot (e enjte) rreth orës 00:15 është raportuar se në klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, një dhomë është përfshirë nga zjarri.

“Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor. “, tha ajo për rtv21.tv

Ahmeti po ashtu njoftoi se aktualisht policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.


Një pacient i vdekur nga zjarri në dhomë në Psikiatrinë e QKUK-së

Një pacient ka mbetur i vdekur nga zjarri në shërbimin emergjent të Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, ndërsa tre punëtorë shëndetësorë janë asfiksuar por fatmirësisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Vdekjen e pacientit e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Dr. Faton Kutllovci. Ai i ka thënë Gazetës Shneta se pacienti ishte trajtuar edhe më parë në klinikë.

Lidhur me rastin portali rtv21.tv ka kontaktuar policinë por ende s’ka marrë përgjigje.

Back to top button