SHSKUK tash i pranon testet rapide për stafin shëndetësor

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ka vendosur të njohë testet rapide për stafin shëndetësor.
Sipas vendimit, testi duhet të bëhet brenda institucionit, të regjistrohet në librat e protokolit dhe të lëshohet raport me shkrim nga mjeku i klinikës, spitalit apo institucionit përkatës. Për rezultatet e testeve duhet të njoftohet Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës konform normave rregullative.
Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka përshendetur vendimin e Komitetit të SHSKUK-së për reflektim ndaj shqetësimit të komuniteteve infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor lidhur me vendimin e mëhershëm sipas të cilit infermierët dhe stafi tjetër shëndetësor të cilët rezultojnë pozitiv në testimin rapid do cilësohen vetëm si të dyshuar për infekcion me COVID-19, ndërsa për t’a konfirmiar infermierët do duhej që të bënin një PCR test, përndryshe format tjera nuk do pranoheshin si dëshmi nga punëdhënësi.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës njofton antarësinë e saj, infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor që nga sot SHSKUK/QKUK do i pranoj si dëshmi edhe rezultatet pozitive që dalin nga testimet rapide, ndërsa nuk do ketë nevojë për testin PCR për konfirmim të infekcionit. Komunitetet infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor gjatë gjithë periudhës me pandeminë COVID-19 kanë dëshmuar korrektësinë e tyre, kanë dëshmuar që janë të përgjegjshëm dhe të besueshëm, ndërsa përmes punës, angazhimit dhe sakrificës kanë dëshmuar që vendi dhe qytetarët mund të llogarisin në infermierët dhe shërbimet e infermierëve”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Tutje, Sindikata ka inkurajuar të gjithë anëtarët e saj që t’u përmbahen me përpikmëri vendimit të Komitetit të SHSKUK-së rreth procedurave të testimit dhe evidentimit, rekomandimeve të IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për t’u mbrojtur nga infekcioni me COVID-19, si dhe për parandalimin e përhapjes së tij.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës mbetet e përkushtuar në krijimin, ruajtjen dhe avancimin e mardhënieve të bashkpunimit me të gjitha institucionet derisa ky bashkpunim dhe këto mardhënie nuk i cenojnë interesat dhe të drejtat e komuniteteve infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor, ndërsa padyshim që ruajtja e shëndetit dhe mirëqenia e komuniteteve infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor janë prioritet i yni”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button