Shtëpia e Bardhë thotë Putin ndihet i mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë

Shtëpia e Bardhë thotë se ka inteligjencë që presidenti rus, Vladimir Putin mendon se është mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë, gjë që ka rezultuar në tensione të vazhdueshme mes tij dhe udhëheqjes së tij ushtarake.
“Ne besojmë se Putini po keqinformohet nga këshilltarët e tij se sa keq po performon ushtria ruse dhe se si ekonomia ruse po gjymtohet nga sanksionet, sepse këshilltarët e tij të lartë kanë shumë frikë t’i thonë të vërtetën”, tha drejtoresha e Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Kate Bedingfield.
Ajo tha se ishte gjithnjë e më e qartë se pushtimi rus i Ukrainës kishte qenë një gabim strategjik që do ta linte atë më të dobët në terma afatgjatë, përcjell rtv21.tv
Bedingfield tha gjithashtu se SHBA-ja ka vazhduar të shohë sot prova të sulmit dhe avancimit të Rusisë në vendet ku ata kishin thënë më parë se nuk do ta bënin.
Rusia tha të martën se do të reduktonte operacionet ushtarake rreth kryeqytetit Kiev dhe qytetit verior të Chernihiv, në mënyrë që të fokusohej në rajonin lindor të Donbasit, por zyrtarët lokalë thanë se sulmet vazhduan gjatë natës në Chernihiv./21Media

Back to top button