Shtetet e Quintit thirrje që procesi zgjedhor të mos ketë ndërhyrje politike

 

 

Ambasadorët e shteteve të Quintit takuan sot kryetarën e KQZ-së, Valdete Daka për të shprehur përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt, dhe për ta njoftuar mbi planet e monitorimit të zgjedhjeve.

Ambasadorët thonë se janë të sigurtë në aftësinë e KQZ-së për të mbikëqyrur zgjedhjet, në këtë kohë pandemie.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës t’i zbatojnë rekomandimet e bëra në raportin e Misionit Zgjedhor të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e 6 tetorit 2019. E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike. Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative”, thuhet në komunikatën e ambasadorëve.

Ata kanë ftuar të gjitha partitë dhe kandidatët që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës.

“Derisa shqyrtojnë pëzgjedhjen e tyre, populli i Kosovës meriton të dëgjojë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati informues. Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën”, thuhet tutje në komunikatën e ambasadorëve./21Media

Back to top button