“Shteti po rrëshqet drejt jetës mafioze”

Një person ka vdekur nga plagët e marra dhe pesë të tjerë janë plagosur pas të shtënave ndërmjet dy grupeve në njërën nga lagjet e Prishtinës, të dielën në mbrëmje. Prokuroria tha se tha përleshja e armatosur erdhi si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme mes dy familjeve në kryeqytet dhe bëri me dije se ka lëshuar masën e arrestit për pesë persona. Mjekët e Qendrës Klinike thanë se personat e plagosur janë jashtë rrezikut për jetë.
Skena si nëpër filma u xhiruan nga banorët e lagjes Aktash në Prishtinë. Dy familje të cilat u tha se ishin në hasmëri mes vetë shkrepën mbi 100 plumba në drejtim të njërit-tjetrit. Policia tha se nga kjo ngjarje një person u vra dhe 5 të tjerë u plagosën. Ndërkohë ekipet e forenzikës po vazhdojnë të mbledhin provat për këtë rast.
Banorët të cilët jetojnë në lagjen Aktash në kryeqytet thanë prapa kamerave se një numër i shtëpive janë dëmtuar nga të shtënat me armë zjarri. Ata i thanë rtv21 se nuk ndjehen të sigurt në shtëpitë e tyre.
Policia e Kosovës bëri me dije se rreth orës 22:00 të dielën në lagjen Aktash të Prishtinës ka nisur përleshja e armatosur ndërmjet pjesëtarëve të dy familjeve, nga pasojat e së cilës një person u vra në vendin e ngjarjes ndërsa pesë të tjerë u plagosën. Të pestit u dërguan në Qendrën Klinike në Prishtinë dhe trajtii mjekësor i tyre, bëhet me dije se vazhdoi nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore. Ekipe të emergjencës në QKUK, thanë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe shefi i repartit të kirurgjisë abdominale, Vesel Skenderi, bëri me dije se dy nga të plagosurit janë operuar dhe janë jashtë rrezikut për jetë.
“Kemi pranuar dy pacientë, njëri është i vitit të lindjes 2003, tjetri 1995. Të dy janë të shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë Abdomimale. Të ju them të drejtën në dy pacientët është intervenuar shpejtë dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë”, tha Skenderi.
Prokuroria Themelore bëri të ditur se ka lëshuar masën e ndalimit për pesë persona. Sipas tyre në përleshjen e armatosur dyshohet se ka pasur të përfshirë edhe persona të tjerë.
“Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” në bashkëkryerje, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit janë ndaluar pesë (5) persona, si dhe janë duke u zhvilluar veprime hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast pasi që dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas prokurorisë përleshja e armatosur erdhi si pasojë e mosmarrëveshjeve të më hershme të këtyre dy grupeve.
Një përleshje me armë zjarri mes këtyre dy familjeve kishte ndodhur edhe në muajin mars, kur një person mbeti i plagosur. Përleshjet me armë zjarri në qytet, për njohësin e çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi shënojnë dështimin e sistemit të drejtësisë
“Mund të themi se të gjitha rastet që degradojnë sigurinë publiku duhet të ju faturohen organeve ndjekëse sepse këto janë përgjegjëse në parandalimin e tyre. Ne mund të themi se në bazë të statistikave Kosova qëndron mirë sa i përket sigurisë publike por mund të konkludojmë se shteti po rrëshqet drejt jetës mafioze pasi që njerëz që kanë qenë në burgje apo janë në procedura të tilla mbajnë armë dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve të tjerë”, tha Elezi për rtv21.
Personi me inicialet P.G. i cili mbeti i vrarë në këtë ngjarje sipas raportimeve në media ishte liruar me kusht nga burgu dy javë më parë për një vepër tjetër penale./RTV21/21Media