Shtrenjtimi i energjisë elektrike i papërballueshëm për qytetarët, propozohet aplikimi i bllok-tarifave
Shtrenjtim të energjisë elektrike prej 30 deri në 40% ka kërkuar KEDS nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, por janë qytetarët ata që thonë se një rritje e tillë e faturave do të ishte e papërballueshme për standardin e tyre të jetesës.
Ndërkohë nga shoqëria civile propozojnë që të shkohet me aplikimin e bllok tarifave, gjë e cila do të ndikonte në kursim më të madh të energjisë elektrike.
Zyrtari për komunikim në KEDS, Adlum Ramadani, tha se kërkesa e tyre drejtuar ZRRE-së ka ardhur si pasojë e ngritjes së çmimit të importit.
”Ne kemi bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm, sa i përket çështjes së çmimit, kjo është e drejtë ekskluzive që i takon organit vendimmarrës që në këtë rast është ZRRE. Ne si KEDS dhe KESCO nuk mund të komentojmë sa do të jetë rritja, por sa i përket kërkesës të cilën ne e kemi paraqitur, është diku rreth 30-40 përqind kërkesë për ngritje të çmimit, mirëpo sigurisht që vendimin final apo fjalën e fundit do ta thotë ZRRE”, ka thënë ai.
Ai shtoi se aktualisht konsumatorët janë duke pasur furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe se nuk janë duke u aplikuar reduktime, megjithatë, ai theksoi se ditëve të fundit është rritur konsumi i energjisë edhe për shkak të uljes së temperaturave.
Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation, ka thënë se rritje të çmimit të energjisë elektrike do të ketë për shkak të rritjes së çmimit të importit, por që potencon se do të kishte qenë më mirë nëse shkohet me aplikimin e bllok-tarifave.
Në anën tjetër, janë qytetarët ata që thonë se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë e papërballueshme për ata, duke përmendur edhe faktin se edhe produktet ushqimore janë shtrenjtuar kohët e fundit.
Osman Daku thotë se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të rëndojë gjendjen ekonomike të qytetarëve, edhe ashtu të rënduar.
Edhe qytetarja Pranvera Rufati, thekson se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë negativisht në standardin e jetës së qytetarëve.
Qytetari tjetër, Enver Hoti tha se institucionet nuk po e kanë parasysh standardin në të cilin jetojnë qytetarët e Kosovës me lejimin e shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.
Ndërkohë, shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe rikthimi i bllok-tarifave janë vetëm disa kërkesa që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) është duke i shqyrtuar për strukturën e re tarifore.
Të dhënat e detajuara rreth kësaj strukture, ZRRE paralajmëron se do t’i bëjë publike në fillim të muajit shkurt.