Shtyhet gjykimi ndaj ministrit Sveçla dhe të tjerëve për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Për shkak se deputetja Drita Millaku gjendet në Slloveni për arsye shëndetësore, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku e njëjta bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetët e Vetëvendosjes Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba po akuzohen se në mars të 2018-ës kishin ndezur gaz lotsjellës, me ç‘rast kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Kosovës.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e LVV-së, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare e si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit.

Lidhur me mungesën e të akuzuarës Millaku, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj tha se e akuzuara paraprakisht e ka njoftuar gjykatën se është në Slloveni për arsye shëndetësore dhe nuk mund të paraqitet në seancë.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty.

Të pranishëm në seancë ishin ministri Sveçla dhe deputetët Pacolli-Dalipi dhe Zyba, si dhe prokurori Eset Rama./BetimipërDrejtësi

Back to top button