Shtyhet seanca e jashtëzakonshme
Seanca shtyhet për në orën 16:30
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e cila ishte paraparë të mbahej nga ora 14:00 tani është shtyer për në orën 16:30.
Këtë shtyrje e lajmëroi në orën 15:25 kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për siç tha ai seanca po shtyhet për shkaqe objektive.
Shumica e deputetëve të koalicionit PAN nuk ishin në sallë, shkruan rtv21.tv.
I pranishëm në sallë ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri Pal Lekaj, disa deputetë të AAK-së dhe të grupit 6 plus.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj para fillimit të seancës së jashtëzakonshme për dialogun, në holl të Kuvendit kishte thënë se ka pajtim mes grupeve parlamentare të pozitës, por edhe me PSD-në. “Pritet dakordimi për një ligj. Vendimi u mor dje, po presim të shohim nëse sot ka kuorum. Nëse ka kuorum përfundon sot, nuk e di a do të vijnë të gjithë deputetët, ende s’kemi kuorum. AAK-ja është gati për seancë”, ka thënë kryeministri.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje(VV), kanë deklaruar se nuk do të jenë pjesë e kësaj seance.
Kjo seancë e jashtëzakonshme do të mbahet me kërkesë të 42 deputetëve për miratimin e Projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë./21Media