Jonuzi: Shtylla pengon qytetarët

Jonuzi: Shtylla pengon qytetarët

Një shtyllë e ndriçimit është rrëzuar tash e dhjetë ditë afër parkut “Adem Demaçi” në qendër të qytetit të Mitrovicës, si pasojë e motit të ligë, por pavarësisht kësaj KEDS-i, policia dhe institucioneve tjera gjegjëse, edhe pse janë në dijeni për këtë problem, askush nuk ka ndërmarrë asgjë.

Qytetarët thonë se kjo shtyllë, e cila u rrëzua nga erërat e forta, po paraqet pengesë për qarkullimin e qytetarëve, por edhe rrezik për ta. Remzi Nimani, qytetar, duke mos mohuar mundësinë e rrezikut nga telat e rrymës, tha se kjo shtyllë po i pengon qytetarët dhe automjetet, sidomos taksitë, të cilat parkohen aty.

Sipas tij, përkundër faktit se KEDS-i, policia dhe institucioneve tjera gjegjëse janë në dijeni për këtë, askush nuk ka ndërmarrë asgjë që dhjetë ditë. “Kjo ka ndodhur para 10 dite, kur ka qenë një furtunë, shi i madh që ka ra, edhe era e ka rrëzuar shtyllën elektrike. Kanë qenë policia, këta të KEDS-it, kanë shikuar, ne pak e kemi skajuar, përndryshe sot e asaj dite askush nuk merr masa. Po i pengon qytetarët, automjetet, ndoshta është rrezik se ka edhe rrymë”, ka thënë Nimani për KosovaPress.

Edhe Sokol Jonuzi, një qytetar tjetër nga Mitrovica, ka bërë të ditur se shtylla e rrëzuar paraqet pengesë për qarkullimin e qytetarëve dhe të automjeteve në këtë vend, por edhe rrezik. “Qe 10 ditë është rrëzuar kjo shtyllë kur ishte era e madhe, nuk ndërmerr askush gjë. Ka edhe rrymë, ashtu që ka mbet…Edhe qytetarët dhe çdonjërit i pengon, sidomos neve që punojmë këtu”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në komunën e Mitrovicës, Besnik Beka, ka thënë se Komuna ka ndërmarrë masa të menjëhershme në izolimin e telave të rrymës, duke eliminuar rrezikun për qytetarët.

Sipas tij, edhe pse kompanisë së kontraktuar nga Komuna për mirëmbajtjen e ndriçimit publik i ka skaduar kontrata, ai premtoi se ky problem do të zgjidhet brenda dy ditësh. “Komuna e Mitrovicës ka ndërmarrë masa në izolimin e telave që kanë qenë të vendosura në shtyllë… Komunës së Mitrovicës në vitin 2016 i ka skaduar kontrata për mirëmbajtjen e ndriçimit publik. Ne kemi hyrë në kontratë me një kompani të re për ndriçim publik, mirëpo ai si kontraktues i Komunës nuk e ka obligim për t’i ndërruar shtyllat, përveç trupit ndriçues. Dhe për këtë fakt është një status-quo ku ne duhet të kontraktojmë një kompani vetëm për mirëmbajtjen e shtyllave në kuptimin pa ndriçim. Shtylla besoj që brenda dy ditësh largohet”, tha Beka.