Shuma milionëshe shtesë për korrigjimin dhe ndërtimin e rrugëve

Përgjegjës për lëshimet është shteti

Afati për ndërtimin e autostradës Milladinovc-Shtip do të shtyhet për të paktën edhe një vit. Qeveria e kaluar në Maqedoni ka marrë propozim nga inspektorati mbikëqyrës për vazhdimin e afatit të ndërtimit, konfirmon ish ministri i transportit Vllado Misajllovski. Por në marrëveshje nuk janë kërkuar mjete shtesë.

“Nga inspektorati mbikëqyrës është dorëzuar propozim-aneks vetëm për kohëzgjatjen e ndërtimit në pajtim me marrëveshjen dhe ligjit. Në aneks nuk kërkohen mjete shtesë”, u shpreh Vllado Misajllovski, ish ministër i Transportit.

Kështu na u përgjigj Misajllovski përmes një SMS porosie, pasi në opinion pati reagime të shumta pas shkrimeve në mediat e vendit dhe ato ndërkombëtare se qeveria e kaluar është pajtuar që afati i ndërtimit të vazhdohet deri në maj të vitit 2018 dhe se të gjitha përgjegjësitë të bien në kurriz të shtetit, shkruan TV21.TV

Sipas informacioneve të mediave, kinezët tanimë kanë trokitur në derën e qeverisë për të kërkuar aneksin për autostradën Milladinovc-Shtip. Në këtë marrëveshje, nënshkrim kanë vënë dy ministra nga qeveria e kaluar si dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike të Rrugëve. TV21 kërkoi qëndrim nga zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski dhe nga njeriu i parë i rrugëve shtetërore Aleksandar Stojanov. Stojanov nuk iu përgjigj thirrjeve tona, ndërsa Peshevski na u përgjigj:

“Një aneks i atillë nuk ekziston dhe nuk kam nënshkruar asgjë përveç marrëveshjes kryesore që është miratuar nga Parlamenti”, tha Vlladimir Peshevski, ish Zëvendëskryeministër.

Sipas të dhënave, dëmi vlerësohet të jetë në miliona euro, para këto që duhet të paguhen nga buxheti për vazhdimin e ndërtimit të autostradës edhe për një vit. Ministri i ri i transportit Sugarevski, përveç problemeve me këtë autostradë, thotë se me vështirësi të mëdha përballet edhe autostrada në pjesën perëndimore të vendit.

“Kjo mënyrë e papërgjegjshme e të punuarit shkaktoi shpenzime shtesë për minimum 120 milionë euro. Këto janë para të qytetarëve, ndërsa ky shpenzim u shkaktua nga qeverisja e papërgjegjshme e VMRO-DPMNE-së”, tha Goran Sugarevski, Ministër i Transportit.

Në lidhje me procesin e ndërtimit të autostradave u përfshi edhe PPS-ja. Në rastin “Trajektorja” akuzohet ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministri i transportit Mile Janakievski, ish zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski si dhe funksionarë të lartë të qeverisjes së kaluar, të cilët akuzohen se e kanë dëmtuar arkën shtetërore për 155 milionë euro./21Media

Back to top button