Më shumë gra të punësuara në sektorin privat se sa në publik

Instituti Riinvest ka publikuar raportin “Gratë në tregun e punës”, sipas të cilit 54 përqind të grave janë të punësuara në sektorin privat ndërsa mbi 40 përqind janë të punësuar në sektorin publik

Drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani ka thënë se ka pabarazi në tregun e punës në mes grave dhe burrave, ku femrat më shumë janë punëmarrëse sesa punëdhënëse në krahasim me burrat. “Përderisa gratë përfaqësojnë gjysmën e popullsisë të Kosovës, fuqizimi dhe pjesëmarrja e tyre në tregun e punës nuk është proporcional, Të  dhënat tona sugjerojnë se gratë janë të nën përfaqësuara në treg qofshin si punëdhënëse apo si punëmarrëse edhe pse realiteti i punësimit  ne të  gjithë e dimë që është jo i mirë për të dy gjinitë, megjithatë gratë rezultojnë të jenë më keq në këtë aspekt në Kosovë….Kur i krahasojmë aktivitetet e grave me të burrave në tregun e punës rezulton se 78 përqind e të punësuarve gra janë punëtore, pra punëmarrëse jo punëdhënëse, përderisa ky proporcion tek burrat është 66 përqind pra është shumë më i madh proporcioni i punëmarrësve ose pjesëmarrjes së punësuarve burra që janë edhe punëdhënës”, tha ai.

Sipas Hashanit Instituti Riinvest në bashkëpunim me USAID-in  janë angazhuar në forumin ekonomik të grave i cili ka për qëllim hartimin e politikave publike që mundësojnë përmirësimin e pozitës së grave në biznes.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se gjetjet e këtij raporti fatkeqësisht vërtetojnë se gratë nuk trajtohet barabartë me meshkujt dhe përballen me barriera të shumta ligjore e strukturore. Sipas Jahjagës ende ndodh që gratë qysh në intervistën e parë të punës pyeten rreth statusit dhe planeve familjare, kështu duke iu dhënë më shumë të drejtë të punësimit meshkujve se sa femrave. “Fatkeqësisht gruaja kosovare ende nuk shihet e nuk trajtohet si e barabartë me kolegët e saj meshkuj. Në punë ajo ende përballet me barriera të shumta ligjore, strukturore dhe kulturore. Pengesat ligjore për pjesëmarrjen e grave në ekonomi përfshinë kufizimet në lirinë e tyre, në të drejtat mbi pronën dhe trashëgiminë, mungesën e qasjes në shërbime financiare dhe mungesën e mbrojtjes adekuate ligjore nga dhuna. …Ka ende shumë raste kur gratë që në intervistën e parë për punë pyeten rreth statusit dhe planeve të tyre familjare, shpesh herë punëdhënësit preferojnë të punësojnë një burrë karshi një gruaje me përgatitje të njëjtë profesionale  vetëm se kjo e fundit mund të lind dhe të bëhet nënë dhe të kërkoj menjëherë pushimin e lehonisë“, tha ajo.

Jahjaga tha se për shkak të mentalitetit ende mbizotëron perceptimi në Kosovë se burrat duhet të udhëheqin e gratë duhet t’u binden atyre.

Ndërsa , Miranda Jolicoeur, zëvendës drejtore  në Zyrën për Demokraci dhe Qeverisje në USAID tha se Forumi Ekonomik i Gruas  do të ndihmoëj gratë e Kosovës të flasin me një zë të unifikuar për të ndikuar në ndryshime. “Ne duhet të shohim në mënyrë të saktë të dhënat dhe pastaj t’i përdorim për të punuar për ndryshim, për të lobuar dhe për të insistuar për një fushë më të barabartë ekonomike për çdo grua në Kosovë. Në muajt e ardhshëm, Forumi Ekonomik i Gruas do të hartojë agjendën ekonomike të grave që do të përdoret për të lobuar drejtpërdrejt në Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik dhe në komunitetet e tjera parlamentare. Forumi Ekonomik i Gruas do t’i ndihmojë gratë e Kosovës të flasin me një zë të unifikuar për të ndikuar në ndryshime”, shtoi ajo.

Nga raporti  “Gratë në tregun e punës” u tha se 54 për qind të grave janë të punësuara në sektorin privat ndërsa mbi 40 për qind janë të punësuar në sektorin publik, dhe se 30 për qind e tyre të punësuara në sektorin privat nuk kanë kontrata të punës, ndërsa në sektorin publik 23 për qind janë me kontratë me afat.

Sa i përket barrierave në tregun e punës, 36 përqind e grave besojnë se niveli i ulët i pagës është barrier e madhe ndërkaq 15 për qind thonë se barriera kryesore është  edhe orari i punës.

Ndryshe për këtë raport janë anketuar gjithsej 600 gra në rajone të ndryshme të Kosovës duke përfshirë edhe Mitrovicën Veriore.

Back to top button