Shumica e pacientëve të hospitalizuarve në Tetovë kanë qenë në ahengje

Më shumë se gjysma e pacientëve që kanë përfunduar në Qendrën Covid-19 në Tetovë kanë qenë në dasma e ahengje, tregojnë anketat epidemiologjike.
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, thotë se gjendja më kritike është në qytetin e Tetovës ku në spitalin infektiv janë të shtruar 45 pacientë. Të gjithë ata që do të kenë pasqyrë të rëndë klinike do të dërgohen në Shkup. Numri i të hospitalizuarve po rritet në të gjitha qytetet. Numri i përgjithshëm i pacientëve të pranuar në spital i është rreth 150, ndërsa nga numri i përgjithshëm i të shtruarve në spitale, nën 10% janë pacientë që janë vaksinuar me dy doza dhe nuk janë në gjendje kritike.
“Për momentin Tetova është qyteti më kritik, ku ka numër të madh të pranimeve në repartin infektiv dhe në spitalin modular, diku rreth 45 pacientë tashmë janë hospitalizuar ditëve të kaluara. Përveç kësaj, numrat e të diagnostikuarve të rinj janë të lartë edhe në Shkup dhe në Gostivar ndërsa që dje edhe në disa qytete në shtet, kemi edhe në Kumanovë, Kërçovë, në Kavadar, në Strumicë, megjithatë në këto qytete nuk ka kurrfarë presioni në spitale”, tha Filipçe.
Problemi kryesor për rritjen e numrit të të infektuarve është mosrespektimi i protokolleve shton Filipçe. Për këtë gjë Qeveria prej 16 gushtit do të ndalojë të gjitha ngjarjet në ambiente të mbyllura.
“Kemi problem aty ku masat nuk janë respektuar. Ne edhe tani kemi protokolle për vendet e mbyllura por shihet qartë se nuk janë respektuar dhe për këtë gjë ka një problem të tillë”. Fillimisht të ndalohen të gjitha ngjarjet dhe festa në hapësirë të mbyllur, pas 15 gushtit dhe nga 15 gjegjësisht 16 gushti të jetë i obligueshëm shfaqja e dokumentit, vërtetimit se qytetari është vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës në hyrje në të gjitha objektet e mbyllura ku ka ngjarje, festa, seminare”, shtoi Filipçe.
Numri i rasteve me llojin Delta po rritet edhe në vendet e rajonit, tha Filipçe, duke shtuar se vaksina mbetet mekanizmi i vetëm me të cilin mund ta ndryshojmë situatën me koronavirusin. Ndryshe për momentin në vend ka rreth 400 mijë doza të vaksinave, andaj Filipçe apeloi për vaksinim sa më të madh, duke shtuar se nuk mund të jetojmë me masa shtrënguese./TV21

Back to top button