Shumica parlamentare kërkon dalje nga kriza

Deklaratat e shumicës parlamentare  në Maqedoni se po kërkohet mënyrë për zhbllokimin e punës së Kuvendit, ishin shkak për ashpërsimin e retorikës së palës së kundërt.

Ish-kryeministri Gruevski, por edhe krerët e protestave, disa herë gjatë kësaj jave theksuan se në rast se LSDM tenton të zgjedhë spiker të Kuvendit, do të vijojnë reaksione të ashpra.

“Në qoftë se LDSM-ja hyn në një skenar të këtillë siç po flitet këtyre ditëve që në mënyre jo të drejtë, ilegale, jodemokratike , me sjellje të cilat nuk janë në përputhje me rregulloren , duhet ta dijë se VMRO-DPMNE do të reagoje, ashpër, ndërsa sipas kësaj që po shohim këtyre ditëve, duhet të presin reagime serioze edhe nga ana e popullit të Maqedonisë”, u shpreh Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së, shkruan TV21.tv

Bogdan Iliveski, një nga udhëheqësit e iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, nuk deshi të përgjigjet se çfarë do të ndërmarrin, në qoftë se shumica parlamentare e zgjedh kryetarin e Parlamentit.

“Kur të ketë aksion, do të mund të shihni edhe reaksionin tonë”, theksoi Ilievski.

Sipas analistit Petar Arsovskit fjalët e ashpra të cilat dalin nga goja e Gruevskit dhe udhëheqësve të protestave, tregojnë dobësi dhe janë dëshmi se VMRO-DPMNE ngadalë po sigurt po i humb pozitat e saj.

“Së pari kjo tregon dobësi, pasi që nuk ka nevojë për kërcënime në qoftë se punët janë në rregull. Së dyti, tregon një nivel të lartë të tensionit politik në përgjithësi, politikanët fjalimet e tyre i përgatisin sipas energjisë së përgjithshme të politikës e jo sipas parimeve të ndryshme”, tha Petar Arsovski, analist.

Ashpërsimi i retorikës dhe rritja e tensioneve, gjithashtu edhe informacionet se po formohen grupe paraushtarake duhet të merren seriozisht dhe të sanksionohen, tha anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Edmond Ademi. Arsyeja për një reagim të këtillë janë fotografitë të cilat u publikuan pak kohë më parë ku shihen katër burra të veshur me uniforma të zeza dhe bereta, mes të cilëve ishte edhe drejtori i Gjimnazit “Kiril Nikolovski” nga Prilepi, i cili u bëri thirrje studentëve që të dalin dhe t’i mbështesin protestat./21Media

Back to top button