Si bëhet ndarja e të burgosurve nëpër pavijone?

Institucionet e Kosovës kanë për detyrë të sigurojnë vende dhe kushte për të burgosurit. Por edhe kushtet prapa grilave varen nga dënimet, sjelljet, të kaluarës kriminale të secilit të burgosur.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNj), për portalin rtv21.tv ka deklaruar se brenda katër mureve ka shkelje të të drejtave të njeriut.
“Natyrisht se ka shkelje të drejtave të njeriut sidomos gjatë ndarjes së beneficioneve, caktimit në pavijone të avancuara, nga Paneli për Lirim me Kusht, mosfalja nga presidentja, mungesa e pakove ushqimore familjare, mosofrim i i shërbimeve shëndetesore në përputhje me kërkesat”, ka thënë KMDLNj-ja, duke shtuar se në krahasim me vendet e rajonit trajtimi i të burgosurve në Kosovë është më i miri.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar edhe me Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), lidhur me ndarjen e beneficioneve dhe pavijoneve. Sipas tyre këto ndahen në bazë të dënimit dhe sjelljeve të të burgosurve.
Zyrtarë nga SHKK-ja për rtv21.tv kanë thënë se vlerësimi rreth shfrytëzimit të beneficioneve nga të burgosurit bëhet nga ekipi multidisiplinor i cili ka në përbërje: Kryesuesin e ekipit multidisiplinor Zëvendës Drejtorin, Udhëheqësin e programeve dhe tretmaneve, Udhëheqësin e pavijonit në të cilën ndodhet i burgosuri, Udhëheqësin e sigurimit të institucionit, Udhëheqësin e zyrtareve për punë sociale, Zyrtarin për punë sociale i cili e ka në mbikëqyrje të burgosurin, si dhe staf tjetër mjekësor apo zyrtar ligjor nëse është e nevojshme pjesëmarrja e tyre. Pas vendimit të marrë nga ekipi multidisiplinor të drejtën e vendosjes e ka Drejtori i Institucionit
“E drejta e të burgosurit për të shfrytëzuar beneficione derivohet në bazë të ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës, ku janë të përcaktuara në bazë të dënimit, kohës që ka kaluar në mbajtje të dënimit, sjelljeve të burgosurit, qëndrimit ndaj veprës penale dhe viktimave, të kaluarës kriminale, rrezikut që paraqet me rastin shfrytëzimit të benificionit etj”, thuhet në përgjigjën e SHKK-së.
Por, si bëhet ndarja e të burgosurve nëpër pavijone, për portalin rtv21.tv ka sqaruar Shërbimi Korrektues i Kosovës.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës me qëllim të risocializimit dhe rehabilitimit të personave të dënuar implementon këto nivele të tretmanëve, që janë: Tretmani i Pranimit, Tretmani Themelor, Tretmani Standard Tretmani i Avancuar dhe Tretmani Gjysmë i Hapur, Tretmani i Hapur, Tretmanët Specifike, Tretmani i Vetmisë”, ka thënë SHKK.
Tutje SHKK-ja ka thënë se secili tretman ofron një varg privilegjesh dhe stimulimesh të ndryshme që rriten me avancimin e të dënuarit, edhe pse natyra e secilit privilegj do të varet sipas sigurisë së secilit institucion korrektues.
“Mbajtja e të dënuarit në cilin do nivel të tretmanit por edhe ngritja apo ulja e tij varet nga sjellja dhe performanca e të dënuarit”, ka theksuar SHKK-ja.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) tutje për portalin rtv21.tv ka sqaruar të gjitha nivelet e tretmanëve, prej pranimit të të burgosuve deri në “avancimin” e tyre në pavijone të tjera.
Në tretmanin e pranimit: Vendosen të dënuarit me rastin e pranimit ku do të intervistohen sa me parë që është e mundur. Të gjithë të burgosurit gjatë periudhës se pranimit njoftohen me procedurat e trajtimit dhe rendin shtëpiak. Ekipi profesional e bënë vlerësimin e të dënuarit brenda 30 ditëve dhe po qe se gjatë kësaj kohe ka treguar sjellje të mirë Ekipi autorizon vendosjen e të dënuarit nga ky tretman në tjetër. Të gjithë të burgosurve të cilët kanë dënim me të gjatë se një vit iu përgatitet planifikimi i dënimit.
– Tretmani Themelor: Ky tretman jep të drejtën minimale sipas ligjit dhe është për ata të dënuar që për shkak të sjelljes jo të mirë degradohen nga tretmanët më të avansuara apo të cilët vijnë nga ndëshkimi disiplinor, refuzojnë punën apo nuk dëshirojnë të punojnë dhe rrethanave tjera të vlerësuara nga Ekipi. Të dënuarit vlerësohen brenda 30 ditëve dhe informohen për hapat konkret çka pritet prej tyre për tu kthyer në tretman standard.
– Tretmani Standard: Për të kaluar i dënuari në tretman standard nuk duhet të ketë ndëshkim disiplinor të paktën 30 ditë dhe duhet të ketë vlerësim pozitiv nga Ekipi profesional. Të burgosurit në regjim standard mund të aplikojnë që të ngritën në tretmanin e avancuar sipas kohës se mbajtjes se dënimit, veprës penale dhe nëse është paraqitur vullnetar në mbajtje të dënimit.
– Tretmani i Avancuar: Kriteret për të kaluar në tretman të avancuar: Të ketë dënimin e plotfuqishëm, të respektoj rendin shtëpiak dhe rregullat e institucionit korrektues, të ketë marrëdhënie të mira me staf dhe të dënuar tjerë, të ketë gatishmëri për punë, të marrë pjesë aktive në planifikimin e dënimit, të mos ketë dënim disiplinor gjashtë muajt e fundit, të mos jetë i pushuar nga puna gjashtë muajt e fundit, të mos ketë refuzuar urdhrat e stafit. -Personat e dënuar të cilët plotësojnë kriteret e mëposhtme do të kalojnë në procedurë të shkurtër (7-30 ditë tretman pranimi) që të kalojnë në avancim: Vijnë vullnetar në mbajtje të dënimit, dënimi të jetë i plotfuqishëm dhe nuk i kalon më shumë se tri vite, nuk është recidivist i veprave penale dhe niveli i rrezikut është i ulët. Gjithashtu i dënuari mund të vendoset në tretman të avancuar me rastin e ardhjes nga ndonjë institucion tjetër korrektues dhe që ka qenë në tretmanin e avancuar, pas vlerësimit të ekipit profesional.
– Tretmani i Tipit Gjysmë të Hapur: Të dënuarit të cilët janë të pranueshëm për tu vendosur në tipin gjysmë të hapur janë të dënuarit e tretmanit të avancuar. Kriteret për të kaluar në tipin gjysmë të hapur: Të ketë dënim të plotfuqishëm, të mos ketë vepra tjera në pritje, të mos ketë ndëshkime disiplinore gjatë gjashtë muajve të fundit, të jetë në gjendje të mirë mentale dhe fizike, të jetë i gatshëm për punë, të marrë pjesë aktive në planifikim të dënimit, pjesa e dënimit të mos kalon katër vite, të respektoj rendin shtëpiak dhe rregullat e institucionit korrektues, të demonstroj marrëdhënie të mira me stafin dhe të dënuarit tjerë.
Të dënuarit të cilët vijnë në mbajtje të dënimit vullnetar dhe dënimi i tyre nuk kalon një vjet ose mbetja e dënimit të tyre nuk kalon një vjet mund të kalojnë në procedurë të shpejtuar pasi që të jetë bërë vlerësimi i tyre nga ekipi multidisiplinar pas shtatë ditë nga data e pranimit. Llogaritja e dënimit bëhet sipas lirimit normal të dënimit. Për vendosje në tipin gjysmë të hapur nevojitet aprovimi i Drejtorit të Institucionit Korrektues.
KMDLNj për portalin rtv21.tv ka rënditur si shkelje e të drejtave të njeriut edhe mungesën e pakove ushqimore që ua dërgojnë familjarët. Mirëpo, sipas SHKK-së pakot ushqimore janë të ndaluara me ligj.
“Sa i përket pakove ushqimore nga familja janë të ndaluara me plotësim ndryshimin e Ligjit mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale Të vitit 2017. (Ligji nr. 05/l -129 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/l-149 për ekzekutimin e sanksioneve penale, Neni 66 –
Pranimi i pakove
1. Personi i dënuar ka të drejtë të pranojë pako.
2. Pakot kontrollohen në prani të personit të dënuar para se t’i jepen atij.
3. Përjashtimisht nga paragrafi 1 pakot që pranohen nga jashtë nuk lejohet që të përmbajnë ushqim, pije dhe cigare. Pesha dhe përmbajtja e lejueshme e pakove rregullohet me aktin për rendin shtëpiak”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Në anën tjetër, kërkesat primare të KMDLNj-së janë: Të burgosurit të përfitojnë për shkak të sjelljes së mirë duke u liruar para kohe, të miratohet Ligji për Amnesti, të përmirësohen shërbimet shëndetësore, të ketë më shumë masa alternative të denimit, të kenë më shumë “fundjava” brenda viti, për ata që punojnë dhe kanë benificione, pushimi vjetor të jetë në përputhje me Ligjin e Punës dhe ta shfrytezojnë në shtëpi sikur që viti i burgut t’iu llogaritet 10 muaj e jo 12 muaj./21Media

Back to top button