Si dështoi komplet sistemi i komunikimit në Aeroportin e Prishtinës dhe u mbajt sekret

Tashmë një hetim ka nisur

Në qershorin e këtij viti, për afro një orë, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kishte mbetur pa sistemin e komunikimit. Dokumentet provojnë se dështoi madje edhe sistemi rezervë për komunikim. Gjithçka dështoi, por kjo u mbajt sekret nga Kulla e Aeroportit, që ka mbetur nën përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës.

Është ora 15:43 e datës 27 qershor 2017 dhe asnjë aeroplan nuk mund të aterojë ose të ngrihet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Për afro një orë në atë ditë sistemi i komunikimit kishte dështuar, thuhet në një komunikim konfidencial që Kulla e Aeroportit ka pasur me Autoritetin Civil të Avicacionit kosovar, që e ka siguruar Gazeta Express.

“Më 15:43, pas një ndërprerje të energjisë elektrike radari, frekuencat e radios….po thuajse (të dhënat e motit) u bënë të papërdorshëm” thuhet në këtë raport. Aty konstatohet edhe më e keqja. “Pasi provuam disa kontrolle të radios, ne kuptuam se as sistemi rezervë nuk po punonte”, thekson raporti.

Në Kontrollin Ajror, ose e njohur ndryshe si Kulla e Aeroportit, nuk e kanë mohuar këtë incident, por kanë një shpjegim se çka mund të ndodhte nëse në këtë kohë të mos-funksionimit total të komunikimit, madje as atij rezervë, do të ateronte ndonjë aeroplan.

“Në rastin e fundit, nëse një aeroplan është në afërsi te aeroportit, atëherë mund të përdoret edhe drita sinjalizuese (ang. tower light gun)”, ka thënë Driton Ujkani, Koordinator për Marrëdhënie me Publikun në këtë institucion.

Por, megjithëse në Kullën e Aeroportit thonë që do të përdorej drita sinjalizuese, koha kur ndodhi incidenti ishte ditë.

27 qershorin e këtij viti kur për afro një orë Aeroporti i Prishtinës mbeti pa komunikim, madje edhe pa atë rezervë, ishte njoftuar, sipas dokumenteve që ka siguruar Gazeta Express, vetëm Aeroporti i Shkupit, dhe atë vetëm që radari nuk po punonte. Nuk thuhet që u informua ndonjë aeroport tjetër madje as ai i Shkupit , nuk bëhet e qartë në dokumente, se a e dinte që nuk o funksiononte sistemi rezervë i komunikimit.

Por, pse ndodhi krejt ky incident, dhe pse i njëjti u mbajt sekret?

“Një ngjarje si kjo është e rrallë, ndodh një here ne 4-5 vjet, mirëpo si rrjedhoje e vjetërsimit te pajisjeve kjo ngjarje nuk është e përjashtuar plotësisht nga skenarët e vlerësuara si te mundshme nga ASHNA. Raste te tilla ndodhin edhe ne organizatat evropiane dhe botërore”, thotë Driton Ujkani, Koordinator për Marrëdhënie me Publikun në këtë institucion, dhe përmend një rast të tillë në Kroaci në vitin  2014, një tjerë në Belgjike më 2015, një në Majami më 2016, e një tjetër në Belgjike më 2017’ën ku në shumicën prej tyre pati disa anulime fluturimesh.

Në këtë institucion, megjithëse nuk e bënë publik incidentin, thonë që nuk e mbajtën as sekret dhe për këtë kanë një shpjegim.

“Në ASHNA nuk mbahen sekret ndodhitë e tilla, ato raportohen në organet relevante edhe pse këto raporte janë konfidenciale, jo për t’i fshehur nga publiku, po për arsyen që  të mos shkaktohet keqkuptim tek publiku apo udhëtaret të cilët udhëtojnë për dhe nga Aeroporti i Prishtinës, pasi qe shume nga këto ndodhi te raportuara nuk pengojnë mbarëvajtjen e sigurt të operimeve. Raportimet e tilla kanë për qellim hetimin e rasteve, nxjerrjen e mësimeve në mënyrë qe rastet e tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thotë Driton Ujkani për Express.

Menjëherë pas ndodhjes dështimit të komunikimit në Aeroportin e Prishtinës, përfshirë edhe atij rezervë, Departamenti për Cilësi, Siguri dhe Sigurim (DCSS) i ASHNA, ka iniciuar hetimet.

“Hetuesit e caktuar nga DCSS tashme kanë filluar me hetimin e rastit. Duhet marre parasysh qe rastet dhe ndodhitë e kësaj natyre gjithnjë hetohen brenda për brenda ASHNA. Çdo raport i ndodhive dërgohet edhe në AACK”, thuhet në përgjigjen e Kullës së Aeroportit të Prishtinës.

Ata refuzojnë të tregojnë nëse kanë vënë deri tash nën përgjegjësi ndonjë person për këtë incident.

“Qasja që përdoret nga hetuesit e këtyre ndodhive është standardi SOAM (Systemic Occurrence Analysis Methodology) që në vete ngërthen fokusin jo vetëm ne personat e përfshirë, por edhe ne procedurat dhe ne pajisjet e përdorura. Pra, fokusi është që të parandalohet përsëritja e ndodhive e jo ndarja e fajit në personat e përfshirë”, tha Ujkani.

Në dokumentet e siguruara për këtë incident të fundit të qershorit bëhet me dije se as tri radiot rezervë që ishin palnifikuar të përdoreshin në këto raste nuk po funksiononin.

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), është themeluar në janar të vitit 2016. Ky institucion ka funksionuar nën statusin e kompanisë publike me emërtimin Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës – Kontrolli Ajror “Adem Jashari”, e që me këtë status ka funksionuar që nga viti 2011, përkatësisht që nga koncesionimi i shërbimeve terminale të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës që u koncesionua nga një kompani turko-franceze, konsorciumi Limak dhe Aeroports de Lyon.

Me këtë rast qenë ndarë Kontrolli i Trafikut Ajror, që mbeti nën përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës dhe nën përgjegjësinë e të cilit institucion ka ndodhur ky incident, dhe Shërbimet Terminale nga ana tjetër, nën menaxhimin privat të konsorciumit Limak dhe Aeroports de Lyon.

 

 

Back to top button