Si ndahen 15 milionë euro nga reklamat?

Maqedoni:  Ekspertët dyshojnë në rejtingun e televizioneve

Një sërë pikëpyetjesh dhe dilemash shtrohen në opinion rreth rejtingjeve të televizioneve. Reagimet e ekspertëve janë gjithnjë e më të shpeshta sa i takon kësaj çështjeje për shkak të disa mospërputhjeve rreth shikueshmërisë së televizioneve vendore. TV21 Maqedoni kërkoi qëndrim nga institucionet përgjegjëse për atë se sa janë të besueshme të dhënat që i publikon kompania që bën matjen e shikueshmërisë së televizioneve nacionale dhe atyre lokale. Njeriu i parë i agjencisë shtetërore për media konsideron se për momentin ka mjete të pakta që bëjnë matjen e shikueshmërisë, andaj nevojiten matës shtesë për të pasur të dhëna më të sakta.

“Në situata të caktuara, konstatuam rezultate të çuditshme gjatë matjes së shikueshmërisë, sidomos gjatë kohës kur transmetohen ngjarje të rëndësishme sportive apo ngjarje të tjera me rëndësi të lartë shoqërore. Të dhënat që i ofronte Ej Xhi Bi Nillsen tregojnë se në periudhën e njëjtë nuk është ndjekur ndeshja e rëndësishme sportive por është ndjekur një televizion tjetër me program krejtësisht tjetër. Dua të besoj se arsyet për këto dyshime nuk burojnë nga matja jo cilësore e shikueshmërisë, por nga ajo se panelet, gjegjësisht matësit nuk janë të vendosur në mënyrë të rregullt”, tha drejtori i ASHAA, Zoran Trajçevski.

Një pjesë e njohësve të kësaj çështjeje konsiderojnë se nuk mjafton që vetëm një kompani të bëjë matjen e shikueshmërisë së televizioneve. Megjithatë, një pjesë e madhe e menaxherëve të shtëpive televizive nuk shohin monopol në punën e kësaj kompanie. Ata konsiderojnë se mjafton që të pranohen kushtet e punës që kërkohen nga televizionet.

“Rregullat duhet të jenë të qarta dhe të respektohen, para së gjithash nga kompania Nillsen që bën matjen e rejtingjeve. Për fatin tonë vendosin këta. Numrat e tyre e formësojnë fatin dhe ekzistencën e televizioneve në Maqedoni”, tha Ivan Mirçevski.

Më së shumti para për reklamim në televizione japin korporatat e mëdha. Target kanë mediat që ndiqen nga qytetarët e moshës ndërmjet 18 deri 30 vjeç, thotë për TV21 Sasho Peshev, punonjës në shërbimet e marketingut. Sipas tij, kompanitë u përmbahen në mënyrë strikte të dhënave të kompanisë që bën matjen e shikueshmërisë dhe reklamohen në mediat me shikueshmëri më të lartë.

“Është fakt se në Maqedoni kemi problem me panelin i cili është i bazuar në regjistrimin e vitit 2001. Edhe atëherë kishte dilema se a ishte i saktë regjistrimi i vitit 2001. Që atëherë kemi pasur migrim të brendshëm dhe të jashtëm dhe nuk dimë se sa është numri i popullatës urbane dhe sa i asaj rurale. Pra, është fakt se paneli nuk është i përsosur dhe se duhet ta rregullojmë”, tha Peshev.

Sipas informacioneve, në nivel vjetor, në televizione qarkullojnë rreth 15 milionë euro nga reklamat. Sipas çdo logjike, biznesmenët vendosin të reklamohen aty ku të dhënat e kompanisë matëse tregojnë shikueshmëri më të lartë. Pikërisht për këtë arsye u paraqitën dyshime për jotransparencë të të dhënave. Si shembull për këtë merret e dhëna se finalen e ligës së kampionëve në hendboll ndërmjet Vardarit dhe PSZH-së e kanë ndjekur 246 mijë qytetarë, ndërsa të nesërmen, 250 njerëz e kanë ndjekur reprizën e serisë turke në një tjetër televizion nacional./21Media

Back to top button