Si po i gjenë dimri qytetarët?

Me uljen e temperaturave, vjen edhe shqetësimi i qytetarëve për ngrohjen gjatë dimrit. Disa ngrohen me dru, e disa të tjerë me rrymë, por, qytetarët ankohen për shpenzimet për ngrohje.

“…po është shtrenjtë po çka kemi me bo, çka t’bajmë na, s’kemi qare me diçka pa u nxe, edhe drutë s’janë ma lirë. Jo se s’kom tjetët opsion, se di kah, i kom qashtu këto me rryme në banesa s’ka tjetër rrugëdalje pos ajo…”, tha një qytetar.

“…unë ngrohna qysh jom ngrohë prej kohes t’Titos me dru ngrohna, prej shteti nuk varna, se ky shtet me mujtë edhe pensionet na i merr…”, tha një qytetarë tjetër.

Për familjet të cilat janë të përfshira në skemën sociale, e që ngrohen me dru, komuna e Prishtinës ka shpërndarë nga tre metra dru për 140 familje, ndërsa, familjet që ngrohen me rrymë do të subencionohen.

“Ne tani si drejtori e mirëqenies sociale kemi ba shpërndarjen e druve për ngrohje për familjet që janë pjesë e skemës sociale, kemi përfshirë rreth 140 familje të cilat kanë qenë përfituese secila prej tyre me nga 3 metra dru. Është bërë shpërndarja gjatë javës së kaluar, ka përfunduar dhe i gjithë procesi ka shkuar mbarë. Po ashtu ne kemi edhe familje që janë pjesë e skemës sociale por, që kanë forma të tjera të ngrohjes, sic është me energji elektrike apo me ndonjë formë tjetër, kështu që ne do të përkujdesemi t’i përfshijmë të gjithë, që edhe atyre t’u japim në formë monetare në xhirollogaritë e tyre shumë, me dedikim për ngrohje”, tha Adelinë Sahiti, Drejtoreshë e Mirëqenies Sociale, Prishtinë.

Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës “Termokos”, i ka bërë përgatitjet e fundit për fillimin e sezonit të ri të ngrohjes, përfshirë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në lagje të reja.

“Për dallim prej vitit të kaluar këtë vit do të kemi ngritje të ndjeshme të ofrimit te konsumatorët e rinj. Nese e marrim për bazë njësitë e banimit, njësitë afariste i bjen që dikund përmbi 8,900 njësi të reja do të jenë për herë të parë në ngrohtore. Termokosi është zgjeru edhe përmbi 570mij m2 në total, ndërsa për numër të banorëve të cilët do të kenë çasje në Termokos, mbi 40mij sosh për herë të parë këtë vit do të marrin shërbimet këtë vit”,
tha Fisnik Osmani, kryeshef ekzekutiv i “Termokos”

Edhe sivjet, termokosi do t’i faturojë shpenzimet në bazë të sipërfaqes së ngrohjes, ndërkaq, nga viti i ardhshëm pritet të aplikohet projekti i faturimit përmes konsumit.

“Jemi në fazën finale të projektit të matësve, projekti do të përfundoj në Janarin e vitit që po hyjmë 2024, mirëpo ne gjatë kesaj kohe kemi bërë një punë të madhe me bashkëpunëtor me ekipe profesionale, me konsulenca. Ne e kemi bërë gati softuerin për matje dhe lexim dhe do të filloj të implementohet prej këtij viti si fazë apo periudhë testimi, ideja është që ne jemi gati të dërgojmë fatura me matjen e re, por jemi dakordu që këtë fazë ta kalojmë me testim, sepse nuk e dijmë se si do të reagoj sistemi”, tha Osmani për RTV21.

Termokosi mbulon edhe objekte institucionale, si shkollat, çerdhet, qendrat e mjekësisë familjare, fakultetet, institucionet qendrore dhe lokale./21Media

Back to top button