Si ta kuptoni në fazë të hershme që fëmijët kanë ngecje në të folur, flet logopedia për RTV21

Të folurit është një formë e veçantë dhe e përsosur e komunikimit, e natyrshme vetëm tek njerëzit që i dallon ata nga qeniet e tjera të gjalla. Në procesin e komunikimit verbal njerëzit shkëmbejnë mendime dhe ndërveprojnë me njëri-tjetrin.
Por, nuk janë të rralla as rastet e të vonuarit në të folur.
Në një përgjigje për portalin rtv21.tv, logopedia Kaltrina Hashani tregoi se çfarë në fakt është të vonuarit në të folur.
“Gjuha dhe të folurit është një funksion kompleks që zhvillohet gjatë fëmijërisë së hershme, por që nuk do të thotë të zhvillohet në intervale të njejta kohore tek secili fëmijë, mirëpo jo edhe me diferenca të shumta ndërmjet tyre. Të folurit e vonuar shfaqet kur një fëmijë nuk zhvillon gjuhën dhe të folurit në normën e pritur sipas moshës së caktuar. Ajo përkufizohet si mosarritje e aftësive folëse të ngjashme me shumicën prej bashkëmoshatarëve”, tha Hashani.
Sipas Hashanit, nëse çrregullimi ka lidhje me ndonjë organ të trupit përkufizohet si “çrregullim gjuhësor organik”, por nëse çrregullimi nuk ka lidhje me ndonjë organ, atëherë quhet “çrregullim gjuhësor funksional”.
Logopedia gjithashtu tha se shkaqet mund të jenë të ndryshme si për shembull: Mungesa e dëgjimit, zhvillimi i ngadalshëm i fëmijës, vonesa mendore, faktorët gjenetik, dinamikat familjare, ambienti i varfër gjuhësor në të cilin jeton fëmija, fëmijët që lindin nën peshë, dy gjuhësia, përdorimi i tepërt I teknologjisë, mos frekuentimi i kopshtit në kohën e duhur, mungesa e nënës duke u zëvendësuar me ddo jo-adekuate etj.
Sipas logopedës, cilat janë moshat më të afektuara?
“Vonesa e gjuhës dhe të folurit mund të vërehet shumë herët mirëpo në shumicën e rasteve nga  prindërit ajo vërehet kur fëmijët mbushin 18-20 muaj dhe që kanë të zhvilluar gjuhën receptive(marrëse) por jo gjuhën ekspresive(shprehëse). Mirëpo, fëmijët që nuk përpiqen të flasin deri në moshën 2 apo 2,5 vjeç duhet të mirren seriozisht dhe të kërkohen mendime nga specialist të fushës së gjuhës dhe komunikimit jo më larg se deri kur fëmijët të mbushin 3 vjet”, tha më tutje Hashani për portalin rtv21.tv
Si ta kuptojmë që fëmijët kanë ngecje në të folur në fazë të hershme?
“Nëse në moshën 12-18 muajshe fëmija nuk ka filluar ende krijimin zërave si“ ba-ba, ma-ma”, nuk tregon me gisht, nuk i kupton përgjigjjet PO-JO, nuk reagon kur e thërrasin në emër, nuk imiton zanoret. Nëse i mbush 24 muaj dhe ende nuk ka 20-50 fjalë në fjalorin e tij, si dhe nëse nuk përdorë fjalët spontanisht por vetëm i imiton ato. Nëse në moshën 24-36 muaj nuk i kupton pyetjet e thjeshta, nuk kryen veprime të thjeshta dhe nuk përgjigjet me fjali të shkurta me 2-3 fjalë. Nëse pas moshës 3-4 vjeqare ende nuk ka të folur të kuptueshme dhe nuk është në gjendje ta tregojë një ngjarje të thjeshtë”, tha Hashani./21Media

Back to top button