Si të ulet varësia nga importi i rrymës?

Kombinati energjetik REK Bitolla vazhdon të mbetet objekti kryesor energjetik në Maqedoni i cili plotëson madje 70% të nevojës për rrymë

Maqedonia ende ballafaqohet me problemet e vjetra sa i takon varësisë nga importi i energjisë elektrike. Gjendja mund të ndryshohet duke u orientuar kah burimet e rinovueshme të energjisë, konsiderojnë ekspertët. Në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian, Maqedonia e ka përfunduar fazën e parë të ndërtimit të parkut me turbina të erës në Bogdanc. Ky park ka kapacitet për të furnizuar me rrymë rreth 60 mijë shtëpi, ndërsa aktualisht në të ka vetëm 16 turbina të erës. Drejtori i ELEM-it Kristijan Mickoski, konsideron se bëhet fjalë për investimin tejet profitabil, me prodhim të energjisë elektrike prej 300 gigavat në orë,shkruan tv21.tv

“Rezultatet e arritura janë jashtëzakonisht të mira dhe të shkëlqyeshme dhe të njëjtat kontribuojë pozitivisht në likuiditetin e kompanisë. Kjo na jep shpresë për realizimin e fazës së dytë por edhe për implementimin e projekteve të ngjashme në rrethinën e Bogdancit dhe në vende të tjera të Maqedonisë. Është siguruar edhe financim, por për realizimin e tyre duhet të merret hua, gjë që për të cilën duhet të marrë fund kriza politike”, tha Kristijan Miskovski, Drejtor i ELEM.

Për 16 turbinat e para të erës të ngritura në periudhën prej vitit 2011 deri në vitin 2014 u investuan 55.5 milionë euro. Shpejtësia mesatare e erës në rajonin e Bogdancit është 7.1 metër në sekondë, ndërsa turbinat punojnë 30% nga ditët gjatë një viti, që është mbi mesataren evropiane prej rreth 25%.

Këto turbina pas meje janë 16 turbinat e erës në parkun e Bogdancit. Faza e dytë parashikon ndërtimin e 6 turbinave të tjera.

Njoftimet se nuk do të ketë rritje të çmimit të rrymës përshëndeten nga një pjesë e ekspertëve, por ata paralajmërojnë të kihet kujdes ngase faktorët e motit asnjëherë nuk mund të parashikohen me siguri të plotë. Konstantin Dimitrov ekspert i gjendjes energjetike në vend, thotë se Maqedonia është shumë e varur nga hidrologjia.

“Besoj se ai premtim do të realizohet dhe se nuk do të ketë nevojë që në qershor të paralajmërohet rritje të çmimi të rrymës, përveç nëse ndodh të ketë ndonjë thatësi të madhe ose ndonjë çrregullim të hidrocentraleve”, u shpreh Konstantin Dimitrov, Qendra për efikasitet energjetik.

Kombinati energjetik REK Bitolla vazhdon të mbetet objekti kryesor energjetik në Maqedoni i cili plotëson madje 70% të nevojës për rrymë. Vlerësimet thonë se ky kapacitet energjetik ka qymyr të mjaftueshëm që të funksionojë deri në vitin 2046. Megjithatë, pikërisht REK Bitolla është ndotësi më i madh i ambientit. Për këtë shkak, ekologjistët do të ishin të kënaqur me shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë edhe në këtë pjesë të vendit./21Media

Back to top button