Sigal Prishtina fiton Superkupën e Kosovës

Sigal Prishtina e ka fituar Superkupën e Kosovës për vitin 2022 pasi në finale e ka mposhtur Trepçën me rezultat 73-54.
Spektakli i dhuruar në parket në këtë ndeshje mbeti nën hijen e sjelljeve vandaliste të tifozëve të të dy skuadrave në përfundim të pjesës së parë duke dëmtuar ulëset në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Pjesa e dytë nuk nisi derisa ambienti u pastrua dhe Policia e Kosovës e zbrazi sallën duke bërë që 20 minutat e fundit të ndeshjes të zhvillohen pa praninë e tifozëve.
Skuadrat e nisën me vendosmëri të lartë ndeshjen duke u fokusuar në mos pranimin e pikëve dhe që si rezultat përfundoi me vetëm 20 pikë të realizuara brenda 10 minutave të para dhe rezultati ishte 12-8 në favor të Prishtinës.
Çereku i dytë nisi me incidente të shkaktuara nga tifozët, të cilët hidhnin mjete piroteknike në parket gjë që solli ndërprerjen e ndeshjes dhe largimin e të dy skuadrave nga parketi, por pas vlerësimit të situatës, gjyqtarët vendosën që ndeshja të rifillojë.
Paraqitja e Prishtinës ishte më e mirë, sidomos në fazën mbrojtëse dhe si rrjedhojë ata shkuan në pushimin 10-minutësh me epërsi prej 5 pikëve dhe rezultatin 28-23.
Çereku i tretë nisi me sallën e zbrazët nga tifozët, por kjo nuk e pengoi Sigal Prishtinën për të aplikuar lojë më sulmuese dhe më efikase duke e thelluar epërsinë minutë pas minute dhe në fund të gjysmë ore lojë, rezultati ishte 52-37.
Dhjetë minutat e fundit sollën lojë shumë më të qetë, me skuadrën nga kryeqyteti që po shkonte sigurt drejtë trofeut të Superkupës duke e mbyllur ndeshjen me rezultat të thellë 73-54.
Ky është trofeu i tetë i Superkupës për Sigal Prishtinën.

Back to top button