Siguria në vend, komandanti i KFOR-it takohet me kryetarin e Shtërpcës

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutas sot është takuar me kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiqin.
Sipas njoftimit të KFOR-it, Ulutash ka biseduar me Jevtiqin për situatën e sigurisë.
“Komandanti i KFOR-it është takuar edhe me kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, me të cilin ka ndarë pikëpamjet e tij për situatën e sigurisë”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Shtërpcë, Ulutash është takuar edhe me personelin e KFOR-it të caktuar në ekipet monitoruese ndërlidhëse të KFOR-it që veprojnë në mbarë Kosovën.
“Këto ekipe mbajnë kontakte të përditshme me komunitetet lokale. Kjo është thelbësore për suksesin e misionit tonë, pasi na lejon të kuptojmë më mirë nevojat e popullatës lokale dhe implikimet e tyre për sigurinë lokale”, thuhet në njoftimin e KFOR-it./21Media