Siguria në vend, Osmani takohet me Peach

(Lajm i përditësuar)


Maqedonci takon dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor

Ministri Maqedonci priti në takim të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot gjatë ditës ka pritur në takim të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, të shoqëruar nga ambasadori Jonathan Hargreaves.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga Ministria ku thuhet se temat që u zhvilluan në këtë takim ishin rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimin e FSK-së, si dhe operacionin Interflex që po zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar, me pjesëmarrje dhe të trupave të FSK-së.

“Ministri Maqedonci u shpreh falënderues për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka ofruar Kosovës në çështje të sigurisë, ruajtjes së integritetit territorial, veçanërisht me shtimin e trupave të saj në kuadër të KFOR-it, pas sulmit terrorist dhe paramilitar me 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë. Me këtë rast, ministri Maqedonci theksoi përkushtimin e palëkundur në ruajtjen e stabilitetit dhe përmbushjen e synimit tonë si shtet për anëtarësim në NATO dhe BE”, thuhet në njoftimin për media të ministrisë.


Pas Kurtit, Osmani takon të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga Presidenca, ku thuhet se në këtë takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe përtej.

“Në temën e Këshillit të Evropës, Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën. Tutje, Presidentja Osmani ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë, me theks të veçantë në veriun e vendit.


Kurti pret në takim të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Kjo u bë e ditur përmes një komunkate për media nga zyra e kryeministrit, ku thuhet se temë e diskutimit ishin zhvillimet në rajon, me theks në sundimin e ligjit dhe sigurisë.

“Në takim u diskutua edhe për sigurinë e Kosovës. Kryeministri theksoi rëndësinë e sigurisë së kufirit me Serbinë, prej nga edhe vjen agresioni ndaj Kosovës, siç edhe u dëshmua në shtatorin e vitit të kaluar. Gjatë bisedës, kryeministri Kurti gjithashtu ndau me Lord Peach reflektimet e tij për vizitën që kishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe takimet në Irlandën e Veriut në fund të muajit shkurt të këtij viti”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, thuhet se Kurti falënderoi Lord Stuart Peach për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë.

“Kujtojmë që në përgjigje të sulmit terrorist dhe paramilitar me 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë, në tetor të vitit të kaluar Mbretëria e Bashkuar mori vendim për dislokimin e 200 ushtarëve shtesë nga Regjimenti Mbretëror i Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit, që ju bashkuan misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR”, përfundon komunikata./21Media

Back to top button